Situata në Kosovë pas moskonstituimit të Kuvendit, Pattipati takon zyrtarët e lartë të LDK-së

Nënkryetarët e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Lutfi Haziri, si dhe deputetja Jehona Lushaku, sot më 06.08.2025 janë takuar me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Anu Pattipati.

Sipas njoftimit të LDK-së, në këtë takim është diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, me theks të veçantë rreth situatës së krijuar pas mos-konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e trajtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar lëndën për interpretim” – thuhet në njoftim.

Në këtë takim, sipas njoftimit, përfaqësuesit e LDK-së kanë ritheksuar rëndësinë që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim të drejtë, të bazuar në Kushtetutë dhe në interes të stabilitetit institucional.

Në anën tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se e ka tërhequr kërkesën që ia kishte parashtruar Gjykatës Kushtetuese më 22.07.2025, në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas saj, gjyqtar raportues i lëndës është caktuar Radomir Llaban, i cili sipas saj, ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë.

Përmes një konference për media, Osmani ka thënë se sipas informatave që ka pranuar nga institucionet e sigurisë, gjyqtari Llaban, paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Osmani tërheq kërkesën nga Kushtetuesja lidhur me konstituimin e Kuvendit, shkak gjyqtari Llaban