Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sindikata e RTK-së kërkon dorëheqjen e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini

Sindikata e Pavarur e RTK-së ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të bordit, Besnik Boletini pas deklaratës së tij se ai merr informacione se në mediumin publik “punëtorët vijnë me pizhame e miniqa”.

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës të mërkurën ka miratuar propozimin që punëtorët të raportojnë për punët që kryejnë brenda orarit e më pas të bëhet edhe raport mujor për punën e secilit.

“Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”- kishte thënë kryetari i Bordit Besnik Boletini para pak ditwsh gjatw mbledhjes sw bordit.

Sindikata e Pavarur e RTK-së e ka konsideruar fyerje një deklaratë të tillë të Boletinit.

Kjo sindikatë ka paralajmëruar veprime të tjera në rast se Boletini nuk e liron postin e kryetarit të bordit të RTK-së.

“Pas këtyre veprimeve të njëpasnjëshme, skandaloze, Sindikata kërkon nga Kryetari, Besnik Boletini që menjëherë ta lirojë postin e kryetarit të Bordit. Në të kundërtën ne si Sindikatë do të ndërmarrim veprime radikale ligjore, përfshirë protestat dhe grevën. Në krye të institucioneve publike nuk kanë vend personat që fyejnë e denigrojnë vartësit e tyre. Në mediumin Publik nuk kanë vend personat që i portretizojnë vartësit e tyre si mashtrues e papunëtorë. Mediat kanë rol t’i promovojnë gratë, t’u krijojnë hapësira ku ato ndihen të sigurta e jo të fyera të demotivuara e të kërcënuara” – thuhet në reagim.

Sindikata ka kërkuar reagim nga Kuvendi i Kosovës, Presidenca, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Rrjeti i Grave, Agjencia për Barazi Gjinore, Institucioni i Avokatit të Popullit, KMDLNJ dhe OSBE  ndaj deklaratës së kryetarit të bordit të RTK-së.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN ka monitoruar mbledhjen e 6 shtatorit të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Kallxo.com me 1 shtator ka publikuar hulumtimin “Radio Televizioni i Burrave” ku tri profesioniste të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik(RTK) nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.

Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara. Dëshmitë konfirmojnë se Besnik Boletini e Shkumbin Ahmetxhekaj diskutuan me kandidatet gjatë procesit të rekrutimit dhe vendimmarrjes. Përfundimisht, ato që u zgjodhën të parat në konkurset fillestare, nuk u emëruan në pozita të larta menaxhuese në Radio Televizionin e Burrave të Kosovës.

Kryetari i Bordit të RTK-së: Marr informacione se ka punëtorë që vijnë në punë me pizhame

Punëtorëve të RTK-së do u kërkohet raportim për punët që kryejnë brenda orarit

Vendimi që punëtorëve të RTK-së t’u kërkohet raport për punët që kryejnë gjatë orarit të punës, reagon Dërguti