Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Punëtorëve të RTK-së do u kërkohet raportim për punët që kryejnë brenda orarit

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka miratuar propozimin që punëtorëve të RTK-së tu kërkohet raport për punët që kryejnë gjatë orarit të punës.

Ky propozim u miratua nga bordi të mërkurën pasi shprehën pakënaqësi për faktin që nuk e dinë se çfarë dhe sa punon secili punëtor brenda ditës.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini deklaroi se kanë qëllim rritjen e përgjegjësisë në punë.

“Duam të rrisim përgjegjësinë në punë, kam përshtypjen se një pjesë e njerëzve nuk janë duke punuar. Kjo është minimuni që mund të kërkojmë si mbikëqyrës”- u shpreh ai para anëtarëve të bordit.

Pas aplikimit të kësaj metode, bordi deklaroi se do i kërkojnë menaxhmentit raport mujor për punën e secilit punëtor në RTK.

Bordi propozoi që ky lloj raportimi të bëhet përmes një sistemi elektronik.

Në bord u ngrit edhe shqetësimi se si do raportojnë punëtorët të cilët merren me dokumentare e punë tjera të cilat do mund ta kenë problem t’i fusin në sistem në baza ditore.

Lidhur më këtë Besnik Boletini tha se “mund të raportojnë me sa persona kanë folur në telefon për dokumentarin apo emisionin”.

Kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha në një deklarim për KALLXO.com deklaroi se miratimi i këtij propozimi është absurditet pasi RTK nuk funksionon me logjikë të institucioneve administrative me raporte ditore.

Sipas tij, bordi nuk ka ide për natyrën e punës në medium.

“Me veprimet si ky i fundit, Bordi i RTK-së çdo ditë e më shumë po e dëshmon që nuk e ka idenë se cila është natyra e punës së një mediumi, në rastin konkret e Transmetuesit Publik, si dhe cilat janë përgjegjësitë e Bordit. Transmetuesi Publik i ka specifikat e veta të punës dhe nuk funksionon me logjikën e kooperativave bujqesore me orar uniform, e as të institucioneve administrative me raporte ditore”- u shpreh ai.

Ai tutje shtoi se, gazetarëve duhet zvogëluar përgjegjësitë rutinore- administrative e jo shtuar ato, në mënyrë që të kenë kohë sa më shumë për ta dhënë më të mirën përgjatë angazhimit profesional.

Hoxha theksoi se para se bordi të përfshihet në aktivitete politike, shantazhe ndaj grave konkurrente për pozita udhëheqëse e takime nëpër kafiteri, të krijojnë ambient motivues punëtorët.

“Më mirë të krijojnë ambient motivues për të punësuarit, pa dallim, duke u angazhuar në krijimin e kushteve elementare të punës për ta, prej karrigeve e deri te hapësirat për punë. Gjithashtu, ta rregullojnë me ligj çështjen e pronës e të financimit të pavarur për të cilat janë zotuar se do t’i zgjidhin gjatë mandatit të tyre”- shtoi tutje ai.

Kryesuesi i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini në një deklarim për KALLXO.com ka thënë se raporti i punës nuk është presion, por vlerësim për mundin e secilit punëtor.

“Lidhur me raportimin mujor për aktivitetet ditore të punës nuk ka vend për shqetësim. Nuk kërkohet punë shtesë, aktivitet tjetër, e as punë jashtë kontratës, por një përshkrim i thjeshtë i aktiviteteve të punës. Ndër të tjera, kjo ndihmon që kur të bëhet vlerësimi i fundvitit nga udhëheqësit, secili punëtor të vlerësohet në mënyrë meritore dhe të bazuar. Në këtë mënyrë evitohen edhe pakënaqësitë eventuale se jo të gjithë po punojnë në mënyrë proporcionale”- ka thënë Boletini për KALLXO.com.

Kallxo.com me 1 shtator ka publikuar hulumtimin ku tri profesioniste të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik(RTK) nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.

Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara. Dëshmitë konfirmojnë se Besnik Boletini e Shkumbin Ahmetxhekaj diskutuan me kandidatet gjatë procesit të rekrutimit dhe vendimmarrjes. Përfundimisht, ato që u zgjodhën të parat në konkurset fillestare, nuk u emëruan në pozita të larta menaxhuese në Radio Televizionin e Burrave të Kosovës.

Radio Televizioni i Burrave