Si u përfshi viktima e bixhozit në fajde? Prokurori Arben Hoti jep detaje

Katër persona u arrestuan pas një aksioni të Prokurorisë së Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës më 19.09.2024 në Prishtinë.

Policia i arrestoi nën dyshimin se kanë kryer veprat penale – fajde, dhe -organizim të skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm.

Dyshimet janë se e gjithë situata filloi duke zhvilluar lojëra të jashtëligjshme, ku viktima humbi një shumë të parave, e për kompensimin e të cilave më pas hyri në fajde.

Lidhur me këtë rast, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, prokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Arben Hoti, ka dhënë detaje shtesë.

Hoti shpjegoi se i gjithë hetimi nisi në momentin kur në Policinë e Kosovës është paraqitur viktima, i cili sipas prokurorit fillimisht ka qenë viktimë apo pjesëmarrës i lojërave të ndaluara të bixhozit.

“Si rezultat i pjesëmarrjes së tij në lojë ai ka arritur të humbasë vlera të dukshme të parave. Viktima duke shfrytëzuar këtë situatë të lojërave online është bërë klient i dy të pandehurve apo të dyshuarve dhe ka marrë pjesë në këtë lojëra duke humbur shuma të dukshme të parave, më pas si rezultat i pamundësisë së përmbushjes së detyrimeve të krijuara nga këto lojëra dhe humbjes së një vlere të caktuar të parave është detyruar që të kontraktojë shuma të dukshme joproporcionale të njohur në opinion si fajde me qëllim që të përmbushë detyrimet apo borxhet e lojërave” – shpjegoi prokurori.

Sipas Hotit, viktima më pas ka vazhduar të marrë pjesë në këto lojëra të fatit dhe kështu ka filluar të hyjë në trajtën e viktimës së veprës penale të fajdesë.

Prokurori tha se si Prokurori në hetimin e rasteve apo veprave të tilla kanë situata të ndryshme kur viktima vijnë në gjendjen apo detyrimin për t’u futur në fajde, varësisht nga gjendja e tij, qoftë financiare apo rrethana të tjera që e detyrojnë të futet në këtë pjesë të detyrimeve.

“Në rastin konkret viktima ka filluar të luajë në lojëra të fatit apo në bixhozin e kundërligjshëm ku ka arritur të humbasë shuma të parave dhe në pamundësi të pagesës sepse ato i ka luajtur në formën online dhe kur është dashur të kryejë pagesën tek organizatorët e lojërave të fatit i njëjti në pamundësi të sigurimit të mjeteve për shkak të humbjes së parave atëherë është udhëzuar apo detyruar që të shkojë dhe të marrë para me fajde te personat e tjerë të caktuar dhe t’ua paguajë detyrimet dy të pandehurve për pjesëmarrjen në lojërat e fatit, dhe kështu ka filluar që të futet edhe si viktimë e veprës penale të fajdesë” – tha Hoti.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se si prova materiale ishin sekuestruar një sasi e konsiderueshme e parave, vetura, telefona, pajisje elektronike, dokumente të ndryshme dhe 13 copë fishekë.