Si erdhi deri tek ekzekutimi i 62 vjeçarit nga forcat RENEA në Shqipëri

62 vjeçari nga fshati Qesarak i Korçës, Ramiz Muçollari është vrarë gjatë shkëmbimeve me armë zjarri me forcat ‘Renea’ mëngjesin e sotëm pasi ishte mbyllur në banesën e tij mbrëmjen e të premtes duke tentuar të vrasë gruan dhe djalin e tij.

Mbrëmjen e kaluar, Muçollari kishte tentuar të vrasë gruan dhe djalin e tij. Ai kishte qëlluar me thikë bashkëshorten dhe kishte tentuar të mbysë djalin. Pëllumbesha Muçollari dhe djali Kamber Muçollari, aktualisht ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Rreth orës 2 të mëngjesit të së shtunës në vendngjarje mbërritën forcat ‘Renea’, mes tyre dhe 62-vjeçarit pati shkëmbime zjarri e për pasojë Muçollari humbi jetën.

Sipas raportimeve, ai i kishte rezistuar mbi tetë orë policise me anë të një mitralozi dhe nuk kishte pranuar të negociojë me ta.

Këtë mëngjes Forcat Speciale “Renea” hynë deri në katin e dytë të banesës së Ramiz Muçollarit, i cili ishte ngjitur në papafingon e banesës.

Policia njoftoi se pas më shumë se një orë shkëmbime zjarri, 62-vjeçari ishte ekzekutuar.

“Forcat Speciale “Renea”, në zbatim të plotë të procedurave standarte janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla shprehu mirënjohjen ndaj Forcave të RENEA-s dhe Policisë së Korçës, që rrezikuan edhe jetën në përballjen me autorin Ramiz Muçollari.

“Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin”.

Sipas të dhënave, Ramiz Muçollari, një person i kartelizuar për problemet e shëndetit mendor  ditën e premte kishte qenë në gjendje të rënduar dhe u shoqërua në spital nga djali dhe një i afërm por ai nuk u shtrua dhe pas kthimit në banese nisi të konfliktohej me familjarët duke plagosur me thike bashkëshorten në këmbë dhe me një levë djalin e tij në pjesën e kokës.