Fotografi: Avi Ohayon/dpa/GPO/picture alliance

Shtëpia e Bardhë shpreh 'përkrahjen e hekurt' për Izraelin pas kërcënimit nga Irani

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur mbështetjen e tyre të hekur ndaj Izraelit pasi që Irani nisi një sulm me dronë drejt Izraelit.

Presidenti amerikan, Joe Biden po përditësohet rregullisht për situatën nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare dhe do të takohet me ta këtë pasdite në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë zëdhënësja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Adrienne Watson.

“Ekipi i tij është në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët izraelitë, si dhe me partnerë dhe aleatë të tjerë. Ky sulm ka të ngjarë të shpërndahet për disa orë” – thuhet në deklaratën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Biden është shprehur qartë se mbështetja e tyre për sigurinë e Izraelit është e hekurt.

“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me popullin e Izraelit dhe do të mbështesin mbrojtjen e tyre kundër këtyre kërcënimeve nga Irani”.

Alarmi për një sulm bëri që Presidenti Biden të lërë në gjysmë udhëtimin e tij në Delauer e të kthehet në Uashington sot pasdite për konsultime urgjente me ekipin e tij të sigurisë kombëtare.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë konfirmuar se Irani ka lëshuar ​​UAV-të nga brenda territorit të tij drejt Izraelit pak më parë.

“Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) është në gatishmëri të lartë dhe po monitoron vazhdimisht situatën operacionale. Grupi i Mbrojtjes Ajrore IDF është në gatishmëri të lartë, së bashku me avionët luftarakë të IAF dhe anijet e Marinës izraelite që janë në një mision mbrojtjeje në hapësirën ajrore dhe detare izraelite”- thuhet në njoftim e forcave izreale në rrjetin social “X”.

Tutje thuhet se IDF po monitoron të gjitha objektivat.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli ka qenë duke u përgatitur për një sulm nga Irani.

“Kushdo që na dëmton, ne do t’i dëmtojmë ata” – ka thënë ai në një video-mesazh.