Shpjegimi i Guvernatorit të BQK-së për blerjen e veturës luksoze në vlerë 69 mijë euro

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Eman Rrahmani, deputet i LVV-së e hapi temën për blerjen e një veture në vlerë rreth 70 mijë euro për guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës.

“Në buxhetin e miratuar nga bordi janë miratuar buxheti prej 80 mijë euro për blerjen e dy veturave, ndërsa është blerë vetëm një veturë në vlerë 70 mijë euro”, tha Rrahmani.

Guvernatori Fehmi Mehmeti e ka sqaruar blerjen e veturës duke thënë është blerë në fillim të 2019.

Mehmeti tha se e ka sqaruar se kanë qenë mjete të dedikuara për veturë dhe tha se nuk merret me procedura të prokurimit.

“U bënë qe tri vite që po flitet për këtë veturë. Edhe sot ka shkruar një medium për veturën që është blerë”, tha ai.

Deputeti Visar Korenica e ka rikthyer në diskutim çështjen e veturës së blerë nga BQK-ja për guvernatorin në vlerë 69 mijë e 200 euro për të cilën ka raportuar KALLXO.com.

Korenica ka thënë se në të kaluarën ka bërë pyetje për veturën, mirëpo atëherë nuk ka pas informacione siç është informuar pas publikimit të hulumtimit në KALLXO.com.

Ai duke ju referuar hulumtimit të KALLXO.com ka thënë se procesi i blerjes të veturës është blerë vetëm në tenderin e tretë, pasi dy tenderët e parë ishin anuluar.

Korenica kërkoi të dijë përse pati rritje të çmimit për 2 mijë euro mes prokurimit të dytë dhe të tretë, për të njëjtat specifika.

“E njëjta veturë ka shkuar në tre procedura të prokurimit dhe në të tretit është përfunduar, mes prokurimit të dytë dhe tretë ka një rritje të vlerës për 2 mijë euro, kurse specifikat kanë qenë të njëjta. Në tenderin e dytë është shpallur fitues ‘Reforma’ Pse është rritur vlera për dy mijë euro për të njëjtën veturë”, tha ai.

Nexhat Miftari, shef i kabinetit te guvernatorit nga BQK tha se një portal ka dërguar pyetje për këtë temë dhe sipas tij të  gjitha informatat dhe dokumentacionet e mundshme janë ofruar.

“Kemi marr pyetje edhe prej një portali, dhe krejt këto informata ia kemi ofruar, pra të gjithë dokumentacioni e mundshëm. Nuk ka asgjë të dyshimtë”, ka thënë ai.

Korenica ka pyetur se kush e ka urdhëruar anulimin e tenderit të dytë, meqë ky informacion ishte fshehur në dokumentin në të cilin ka pas qasje portali, duke u thirr në hulumtimin e KALLXO.com.

Ndërsa, Nexhat Miftari tha se nuk e di këtë gjë.

“Unë nuk e di. Na i kemi dhënë komplet dokumentacionin”, tha ai.

Kallxo.com gjatë ditës së djeshme raportoi se Banka Qendrore e Kosovës e ka blerë një veturë “Audi” për 69 mijë e 200 euro përmes një procesi të dyshimtë të prokurimit.

Vetura, e cila do të jetë në shfrytëzim nga guvernatori, Fehmi Mehmeti, është blerë në tenderin e tretë dhe vetëm pasi BQK-ja e kishte larguar specifikimin teknik të veturës, i cili e kishte bërë të papërgjegjshme kompaninë “Reforma” Sh.P.K. në ofertën paraprake.

Në tenderin e parë, të shpallur në fillim të vitit 2019, nuk kishte ofertuar asnjë kompani. Kurse, në tenderin e dytë (rintenderimin e parë) kishte ofertuar vetëm kompania “Reforma” Sh.P.K., e cila ishte eliminuar nga gara për mosplotësim të specifikave teknike që ishin kërkuar në dosjen e tenderit.

Për dallim nga oferta e dorëzuar në tenderin e dytë që ishte 67 mijë e 500 euro, në tenderin e fundit kompania “Reforma” kishte ofertuar 69 mijë e 200 euro aq sa ishte lidhur edhe kontrata.

BQK-ja blen veturë për guvernatorin në vlerë 69 mijë euro