BQK-ja blen veturë luksoze për guvernatorin në vlerë 69 mijë euro

Banka Qendrore e Kosovës e ka blerë një veturë “Audi” për 69 mijë e 200 euro përmes një procesi të dyshimtë të prokurimit.

Vetura, e cila do të jetë në shfrytëzim nga guvernatori, Fehmi Mehmeti, është blerë në tenderin e tretë dhe vetëm pasi BQK-ja e kishte larguar specifikimin teknik të veturës, i cili e kishte bërë të papërgjegjshme kompaninë “Reforma” Sh.P.K. në ofertën paraprake.

Në tenderin e parë, të shpallur në fillim të vitit 2019, nuk kishte ofertuar asnjë kompani. Kurse, në tenderin e dytë (rintenderimin e parë) kishte ofertuar vetëm kompania “Reforma” Sh.P.K., e cila ishte eliminuar nga gara për mosplotësim të specifikave teknike që ishin kërkuar në dosjen e tenderit.

Për dallim nga oferta e dorëzuar në tenderin e dytë që ishte 67 mijë e 500 euro, në tenderin e fundit kompania “Reforma” kishte ofertuar 69 mijë e 200 euro aq sa ishte lidhur edhe kontrata.

Kronologjia e tenderëve 

Banka Qendrore e Kosovës më 15 janar të 2019 inicioi procedurat për blerjen e një veture zyrtare për nevoja të guvernatorit Fehmi Mehmeti me arsyetimin se veturat që janë në dispozicion kanë filluar të amortizohen dhe nuk mund të përdoren.

BQK kishte ndarë 80 mijë euro për blerje të veturës.

“Sipas planifikimit buxhetor për vitin 2019 inicohet kjo kërkesë për blerjen e një veture zyrtare. Kjo veturë do të përdoret kryesisht për nevojat zyrtare të Guvernatorit të BQK-së. Veturat që i kemi në dispozicion kanë filluar të amortizohen andaj është planifikuar blerja e një veture të re”, thuhet në arsyetimin e kërkesës. 

Ndërkaq më 29 janar 2019 hapet tenderi ‘Furnizim me veturë për nevoja të BQK-së’, bazuar në rregullat e BQK-së për prokurim.

Banka Qendrore e Kosovës nuk e aplikon Ligjin e Prokurimit dhe tenderët e saj nuk publikohen në web-faqen e KRPP-së për Prokurim Elektronik. BQK-ja ka hartuar një rregullore të veçantë të prokurimit dhe njoftimet për prokurim publikohen vetëm në web-faqen e tyre.

Në regjistrin e tenderëve të dorëzuar për tenderin “Furnizim me veturë zyrtare për nevoja të BQK-së”, më 11 shkurt 2019, nuk figuron asnjë operator ekonomik i cili ka aplikuar për këtë tender.

Përkundër faktit që në listën e njoftimeve nuk figuron asnjë njoftim për anulim të tenderit të parë, BQK-ja më 20 shkurt 2019 e ka rihapur tenderin për blerje të veturës.

Kur KALLXO.com ka dërguar pyetje në Bankën Qendrore të Kosovës se pse nuk figuron askund linku për anulimin e tenderit, ky institucion ka dhënë qasje në dokumentin përmes të cilit është anuluar tenderi dhe ka dërguar një link, por i cili ishte jofunksional. KALLXO.com persëri ka kërkuar përgjigje se kur është krijuar një link i tillë, e BQK-ja ka njoftuar se dokumenti është ripublikuar në muajin gusht të vitit 2021 pas problemeve teknike që kishte në sajt. 

Tenderi i dytë 

Në tenderin e dytë, tre operatorë ekonomikë e kishin tërhequr tenderin por vetëm njëri prej tyre kishte ofertuar. Operator ekonomik “Reforma” Sh.P.K. kishte ofertuar me një çmim prej 67 mijë e 500 euro.

Komisioni vlerësues kishte mbajtur disa takime për vlerësim të ofertës së dorëzuar nga kompania “Reforma”. Pas takimit të parë, komisioni i vlerësimit kishte bërë një listë të kërkesave dhe pyetjeve që Divizioni i Prokurimit duhet t’ia bënte ofertuesit të vetëm. Në mesin e kërkesave ishte edhe pyetja nëse vetura me të cilën është ofertuar i plotëson të gjitha kërkesat teknike që janë në dosje të tenderit.

Kompania “Reforma” Sh.P.K. e kishte vendosur një X te specifikat teknike për veturën, përkatësish që “ulëset prapa me mundësi e përshtatje/rregullimit të ulëses, krahëve dhe mbështetëses së këmbëve”.

Pas kësaj përgjigje, BQK-ja kishte vendosur të kërkonte sqarime shtesë nga kompania në mënyrë që të sigurohet nëse është plotësuar ky kriter. 

Komisioni vlerësues pasi kishte marrë sqarimet shtesë nga kompania “Reforma” kishte konstatuar se ky kriter “nuk mund të konsiderohet i plotësuar në tërësi”.

Pavarësisht kësaj, komisioni vlerësues në mbledhjen e mbajtur më 22 mars 2019, rekomandon që kjo kompani të shpallet fituese me ofertën prej 67 mijë e 500 euro.

“Duke pasur parasysh plotësimin e pjësshëm të këtij kriteri bashkë me rëndësinë relative të tij dhe plotësimin e plotë të kritereve tjera bashkë me rëndësinë  relative të tyre, Komisioni Vlerësues i rekomandon Divizionit të Prokurimit që të shpallë fitues ofertuesin, Reforma Sh.P.K”, thuhet në raportin vlerësues të tenderit.

Mirëpo pavarësisht rekomandimit të komisionit vlerësues, tenderi anulohet më 4  prill 2019, me arsyetimin e mungesës së tenderëve të përgjegjshëm.

“Gjatë rishqyrtimit të kërkesës së Komisionit të vlerësimit për tenderin, ‘Furnizim me veturë zyrtarepër  nevoja të BQK-së” dhe sipas përgjigjës së kompanisë se nuk ofrohet: “rregullimi ose lëvizjet e ulsëve para, mbrapa, lart ose  poshtë dhe e mbështetjëss së këmbëvë”, konsideroj se kërkesa tona nuk janë në përputhje me ofertën e kompanisë andaj… tenderi duhet të anulohet”, thuhet në njërin nga dokumentet e dërguara nga BQK për KALLXO.com në të cilën janë mbuluar të dhënat se kush nga BQK-ja e ka kërkuar anulimin e tenderit dhe nga kush është kërkuar një gjë e tillë.

Tenderi i tretë 

Banka Qendrore e Kosovës nuk kishte hequr dorë për ta blerë një veturë për guvernatorin, duke e rishpallur tenderin edhe një herë më 16 prill 2019. BQK më 26 prill BQK 2019 zgjat afatin e dorëzimit të ofertave.

“Arsyeja e zgjatjes së afatit për dorëzim dhe njëkohësisht për hapje të ofertave është i nevojshëm për shkak të ditëve te pushimit si pasojë e festave zyrtare në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit dhe që të gjithë operatorët ekonomik të kenë kohë për përgatitje të tenderëve”, thuhet në vendim.

KALLXO.com ka analizuar dosjen e tendereve dhe ka vërejtur se njëri nga specifikacionet, i cili ishte shkaktar i anulimit të tenderit të dytë, është larguar si kriter.

Kriteri që për ulëset mbrapa të veturës që do të shfrytëzohet për nevoja të guvernatorit të BQK-së të jetë mundësia e përshtatjes apo rregullimit nuk figuron më.

Në tenderin e dytë, në aneks 2 për specifikimet teknike, Banka Qendrore e Kosovës kërkon që ulëset prapa të jenë më mundësi përshtatjeje/rregullimi te krahët dhe mbështetëset e këmbëve.

Gjithashtu për një ‘rehati’ më të madhe, në këtë aneks specifikohet që ulësët të jenë më rryme, memorje dhe nxemje.

Por, në tenderin e tretë nga BQK, në specifikat teknike (Aneks 2: Specifikimet teknike) nuk kërkohen specifikat për ulëset sikur në tenderin e dytë. Në këtë tender ulëset mjaftojnë të jenë me ‘material lëkurë, rrymë, nxemje etj’ por jo memorje.

Këtë specifikacion, kompania ofertuese “Reforma” në tenderët e kaluar nuk kishte arritur ta plotësonte, ndërsa tani pa këtë kriteret ky operator ekonomik i plotësonte të gjitha kushtet për të qenë fitues i tenderit.  

Përveç kësaj në këtë ritenderim, operatori ekonomik ka ofertuar me një çmim prej 2 mijë euro më shumë se në tenderin e dytë.

Vetura e ofertuar ishte e tipit Audi A6. Viti i prodhimit të veturës i kërkuar nga BQK-ja ishte 2019. Ndërsa, operatori ekonomik te viti vetëm e kishte shkruar se për vitin e prodhimit BQK-ja të referohet në FAT (faturë) dhe DD (Dudë Doganor).

Komisioni vlerësues kishte kërkuar sqarime nga operatori ekonomik për vitin e prodhimit si dhe për garancionin që ka vetura. 

“Na konfirmoni se vetura do të jetë prodhim i vitit 2019. Na konfirmoni se vetura do të ketë 5 vite garancion, pa kalkulim të kilometrazhës së kaluar”, thuhet në kërkesën e dërguar nga BQK-ja te “Reforma” më 8 maj 2019.

Bazuar në dokumentacionet e ofruara nga BQK-ja shihet se “Reforma” i është përgjigjur BQK-së më 8 maj 2019. Operatori ekonomik kishte thënë se nuk mund të ndikonte në ndërrim të garancionit pasi prodhuesi ka politikat e tyre që garancionin e lidhin edhe me kilometrazhën e kaluar.

“Ju konfirmojmë se vetura është prodhim i vitit 2019. Sipas rregullave të prodhuesit të automjetit, vetura ka garancion 5 vite ose 150,000 kilometra. Ky është garancion i prodhuesit dhe ne s’mund të ndikojmë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Me këto përgjigje të ofruara nga “Reforma” është ndarë i kënaqur komisioni vlerësues, i cili e ka rekomanduar për kontratë këtë kompani.

“Në këtë mbledhje (10 maj 2019) janë shqyrtuar dokumentet/materialet plotësuese dhe është nxjerrë konkluzioni se në kërkesat e Komisionit të datës 3 maj 2019 janë dhënë përgjigje adekuate. Pas shqyrtimit dhe analizimit të gjithë dokumentacionit, komisioni konstatoi se tenderuesi në fjalë i ka plotësuar kriteret e kërkuara… Komisioni rekomandon… që të shpallet fitues ofertuesi “Reforma” Sh.P.K”, thuhet në dokumentin e vlerësimit të tenderit që është ofruar nga BQK-ja pas kërkesës për qasje në dokumente të KALLXO.com.

Më 10 maj, 2019 kompania “Reforma” shpallet fituese e tenderit për furnizim me veturë zyrtare të BQK-së për nevoja të guvernatorit me çmim prej 69 mijë e 200 euro.

KALLXO.com ka marrë një sqarim edhe nga kompania “Reforma”.

Artan Shala nga kjo kompani ka thënë se çmimi i veturave është i lidhur direkt me prodhuesin, prandaj çdo ndryshim i çmimit nga prodhuesi duhet të reflektohet edhe në ofertën e tyre.

Shala ka thënë se nëse specifikat teknike të veturës që jane kërkuar nga BQK-ja nuk kanë ndryshuar në tenderin e tretë, atëherë ata kanë ofertuar me të njëjtën veturë. 

KALLXO.com i ka analizuar specifikacionet teknike dhe ndryshimet e vetme janë specifikat e kërkuara për ulëse e të cilat nuk i kishte plotësuar vetura me të cilën “Reforma” kishte ofertuar në tenderin e dytë. 

“Në dosjet e tenderit janë specifikcionet, nëse janë të njëjtë atëherë 100%  është vetura e njëjtë e ofertume ka lëviz vetëm çmimi i ngritur nga prodhuesi. Të njëjtën veturë tash nuk është më 69 mijë euro si është këtu po është 77 mijë euro qaq shumë kemi rritje të çmimit”, ka thënë Artan Shala nga kompania “Reforma”.

Përkunder faktit se janë bërë dy kërkesa për qasje në dokumente zyrtare, BQK nuk na ka ofruar qasje në raportin e pranimit të veturës nga komisioni i pranimit.

Banka Qendrore e Kosovës është organ kushtetues. Bordi i BQK-së, që zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës, është kompetent për zgjedhjen e guvernatorit të Republikës së Kosovës.

Fehmi Mehmeti është zgjedhur guvernator më 15 mars 2018 në një mandat 5-vjeçar. Ai në deklarimin e pasurisë të bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar të hyra nga puna e tij si guvernator në vlerë 52 mijë e 514 euro pagë vjetore.

Shpjegimi i Guvernatorit të BQK-së për blerjen e veturës luksoze në vlerë 69 mijë euro