Nuredin Ibishi dëshmon në Gjykatën Speciale

Seanca e Speciales, dëshmitari Ibishi mohon t’i ketë dhënë urdhëra Salih Mustafës apo njësisë BIA

Nuredin Ibishi është dëshmitari i nëntë i mbrojtjes së Salih Mustafës i cili para trupit gjykues në Hagë ka mohuar se ka dhënë urdhëra ndaj Mustafës apo ndonjë pjesëtari të BIA-s.

Salih Mustafa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Dëshmitari Ibishi në Dhomat e Specializuara të Hagës ka mohuar të ketë dhënë ndonjë urdhër ndaj Salih Mustafës, BIA-s apo komandant Remit.

Ai ka sqaruar se Mustafa ishte komandant i BIA-së, dhe se “Komandant Cali” ishte veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, ku ka qenë edhe i burgosur politik dhe i angazhuar në njësitin BIA.

Më tej ai theksoi se të akuzuarin e Speciales gjatë luftës mund ta kishte takuar, por nuk e ka njohur.

Atij në ekran iu lexua deklarata e Salih Mustafës në të cilën pjesë ishte diskutuar për marrjen e urdhërave.

“Se mbaj mend saktësisht, mund të ju them me kë takohesha për të marr urdhërat.. merrnim urdhërat nga shtabi i nën-zonës, pyetja ishte kush ishte, ju përmendët Rrustem Mustafën, përgjigja: Rrustem Mustafa, Kadri Kastrati, pyetje: Nuredin, përgjigja: Nuredin Ibishi”.

Në vijim dëshmitarit, po ashtu iu citua një pjesë në të cilën sërish ishte përmendur emri i dëshmitarit Nuredin Ibishi.

“Nga këto dy pjesë ngjason, duket, se së pari Salih Mustafa merrte urdhëra prej Nuredin Ibishit, ju thatë që ju nuk i jepnit urdhra Salih Mustafës. A po thoni se Salih Mustafa ka gënjyer në deklaratën e tij”, tha prokurori.

“Nuk them dhe ai është qëndrim i juaji dhe interpretim i juaji. Nëse më pyetni as unë nuk mund të jap përgjigje, e jep Salih Mustafa. Thotë e marrim nga sektorët, qendra opertive dhe sektorët, do ta interpretojë zoti Mustafa se sektor janë shërbimet, ai shëndetësor, logjistika, personeli dhe për këtë arsye unë nuk kam qenë udhëheqës i sektorit, por shef i operativës. Ndoshta është gabim në interpretim”, deklaroi Ibishi.

Përkundër insistimit të prokurorit Cezary Mihailzcuk i cili citoi deklaratën: “Nga cili merrje urdhrat, Salih Mustafa: nga shtabi i zonës, ishte shefi i shtabit, ose me telefon satelit ose radio. Në çështjen Agron Zeqiri, Salih Mustafa thotë se i raportonte shefit të shtabit, juve zoti Ibishi”, dëshmitari nuk deshi të deklarohej.

“Nuk dua të interpretoj deklaratën e tjetërkujt”, u përgjigj ai.

E kur prokurori përsëri insistoi të dinte nëse Salih Mustafa gënjen kur thoshte se i raportonte shefit të shtabit, Ibishi i me ashpërsi kundërshtoi prokurorin.

“Deklaratat secili i interpreton të vetat, edhe njëherë po ju them, mos mu deklaroni mua me deklarata fyese për Salih Mustafën”, tha Ibishi.

Ndërkaq, nga ana e prokurorit Mihailzcuk iu lexua dëshmia e Fatmir Humollit dhënë me 2 shkurt 2022 ku ai kishte cituar se Nuredin Ibishi ishte komandant i zonës së Llapit ku raportohej për BIA-n.

“Pyetja: Cili në zonën operative të Llapit në komandë pra kujt i raportonte BIA në zonën operative të Llapit, përgjigja: Komandantit të zonës operative të Llapit dhe shefit të zonës operative të Llapit. Pyetja: cili ishte shefi: përgjigja: Nuredin Ibishi ishte shefi i komandës operative, pyetja cila ishte pozita e tij ekzakte, a mund të na tregosh, përgjigje: Po flas për Nuredin Ibishi. pyetje: Ishte shefi i operativës, pyetja: Pra ose nga Rrustem Mustafa ose nga Nuredin Ibishi, përgjigja: po”, citoi prokurori.

Ai mohoi të ketë dhënë urdhëra, duke shtuar se nuk i ka dhënë urdhëra as Mustafës e as ndonjë anëtari tjetër të njësitit BIA-së pasi nuk ishte detyra e tij.