VIDEO - Keqinformimi në kohën e peticionit
Alban Zeneli, profesor në Universitetin e Prishtinës ka thënë se gjatë kohës që ka filluar nënshkrimi i peticionit nga qytetarët serbë të dy komunave veriore, ka pasur keqinformim.
Ai në Kallxo Përnime, shtoi se kjo lidhet me narrativën që Serbia ka krijuar për serbët e Kosovës.
“Duke pasur parasysh edhe përdorimin e mediave atje, të cilat janë nën kontrollin e Vuçiqit. Asgjë s’ka ndërruar sepse as pozitat politika në Serbi nuk kanë ndërruar. Po shohim që po kërkojnë ndërmjetës me pas aktivitet politik. Nuk e kanë guximin të marrin at iniciativë si parti politike, po flas për Listën Serbe”. – thotë Zeneli.
Ai i ka ndarë në tre drejtime dezinformimin në veriun e Kosovës, e që sipas tij ka bazë etnike.
“Qëllimin kryesor e ka largimin e serbëve, pra një farë lloj tradhtie kombëtare nëse bashkëpunojnë me kryetarët shqiptarë që janë të zgjedhur në këto 4 komuna të Kosovës. Na jemi të vetëdijshëm që bojkoti që ka ndodhur në zgjedhje nuk i kontribuon askujt, as kryetarëve të komunave që janë aktualisht aty. Mes këtyre elementeve, hyn ajo narrativa që po e përmend e që qëllimin kryesor e ka që serbët t’i mbaj larg institucioneve të Kosovës” – tha Zeneli.
Tutje ai shtoi se në veri ka dezinformata që lidhen edhe me sigurinë.
“Secilin incident edhe krimin ma ordiner që ndodh në veri, mediat që janë në shërbim të Vuçiqit, e që prej shumicës prej tyre informohen qytetarët serbë të Kosovës, i paraqesin ato sulme si sulm me bazë etnike edhe pse mund të mos ketë fare lidhje”, – ka shtuar ai.
Ai ka përmendur edhe një vendim të BQK-së për përdorimin e Euros si e vetmja valutë valide në Kosovë, ku Zeneli tha se këto media e kanë paraqitur si vendim kundër serbëve.
“Kështu është që sa vite, prej para pavarësisë së Kosovës, na e dimë që atje ilegalisht është duke u zbatuar përdorimi i valutës, në mediat e Serbisë thuhet se kjo çështje duhet të diskutohet në dialog, por çka të diskutohet në dialog, një çështje shumë e vogël, çka ka rëndësi a paguan me denar apo me euro. Kur edhe kjo keqpërdoret për të dezinformuar, pra për t’i ndarë shoqërinë në baza etnike”, – tha Zeneli.
Aspekti tjetër i narratives së dezinformimit, Zeneli thotë se lidhet me politikën.
“Ndryshimi i narrativës merr më së shumti kohë, nuk është diçka që bëhet sikurse vendosja e policisë në një pikë kontrolli për çështje të sigurisë. Qeveria duhet t’i siguroj qytetarëve serbë të Kosovës lajme në gjuhen e tyre në kanalet e tyre të informimit si formë e vetme për ndryshimin e narratives, le të sponsorizoj mesazhe”, – tha tutje Zeneli.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN ka realizuar Raportin e Deziformimit, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativet e tij.
I financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Raporti i Dezinformimit ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka tek qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.
Këtu mund ta lexoni raportin e plotë, ‘“Vorbulla e rrenave”.