Kartela bankare, Foto: Pixabay
Rritja e rasteve të mashtrimeve me llogari bankare, Policia apelon për kujdes
Policia e Kosovës ka apeluar qytetarët për kujdes të shtuar pas rritjes së rasteve të mashtrimeve dhe keqpërdorimeve të llogarive bankare në rajonin e Mitrovicë e Jugut.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, kohëve të fundit është vërejtur një shtim i rasteve ku qytetarët mashtrohen përmes formave të ndryshme të komunikimit, përfshirë mesazhe SMS, thirrje telefonike dhe platforma online.
Policia bën të ditur se personat e dyshuar paraqiten rrejshëm në emër të institucioneve financiare apo kompanive të ndryshme dhe kërkojnë nga qytetarët të dhëna të ndjeshme, si numri i kartelës bankare, kodet dhe fjalëkalimet, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Sipas Policisë, disa prej mesazheve mashtruese përmbajnë edhe lidhje (linqe) që duken si faqe zyrtare dhe kanë përmbajtje të tilla si: “llogaria juaj do të pezullohet për shkak të mos përditësimit” apo “verifikoni të dhënat tuaja për të shmangur bllokimin e llogarisë”.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, duke rekomanduar që: të mos ndajnë me askënd të dhënat personale dhe bankare; të shmangin hapjen e linqeve të dyshimta të pranuara përmes SMS apo email-it; të verifikojnë çdo komunikim të dyshimtë drejtpërdrejt me institucionet përkatëse; të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë në polici.
Autoritetet theksojnë se vigjilenca e qytetarëve është kyçe për parandalimin e mashtrimeve të tilla dhe mbrojtjen e të dhënave financiare.