Pacolli pas reagimeve për tabelat në veri: Mos keni merak, veriu nuk është dhuratë e Rankoviqit 

Në rrethrrotullimin në hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur tabela me emërtimet e rrugëve “Isa Boletini” dhe “Zoran Dinđić”.

Në vendngjarje ishte e pranishme edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli. 

Sipas raportimeve të disa mediave lokale, ajo është parë duke mbajtur në dorë disa nga tabelat me emërtime të rrugëve në gjuhën serbe.

Pas reagimeve të shkaktuara nga ky veprim, Pacolli ka reaguar përmes një deklarate publike. 

“Po shoh reagime nga ata që edhe nuk është e çuditshme që reagojnë. Ata që dikur as nuk arrinin të shkelnin në veri se lëre më të shtrijnë rend dhe ligj andej. E sot pikërisht këta na sillën si të brengosur me shtrirjen e rendit dhe ligjit andej. Mos keni merak veriu është pjesë e Republikës së Kosovës, nuk është dhuratë e Rankoviqit”- ka shkruar Pacolli.

Ajo ka akuzuar eksponentë politikë se, sipas saj, po përpiqen të godasin qeverisjen aktuale përmes zhvillimeve në veri.

“Eksponentë të kësaj nomenklature me veprimet e Listës Serbe duan të godasin qeverisjen tonë. Edhe ata atje dhe këta këtu, siç duket, i pengon shumë që më në fund në veri kemi rrugë me emrin ‘Isa Boletini’”- ka deklaruar Pacolli, të mërkurën, më 03.06.2026.

Ndërkohë, gjatë ditës në disa media lokale ka qarkulluar një video ku shihet kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, duke mbuluar me një copë pëlhure tabelën me emrin e njërës rrugë.

KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të pyetur nëse është ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me këtë rast.

Nga Policia kanë bërë të ditur se deri më tani nuk është hapur ndonjë rast në lidhje me ngjarjen.
https://kallxo.com/lajm/pas-vendosjes-se-emrave-ne-dy-rruge-ne-mitrovicen-e-veriut-qarkullon-video-e-radojevicit-duke-mbuluar-njeren-tabele/