Rreth 6 muaj pas #DebatPërnime në Drenas, Komuna hap tender për largimin e bërllokut

Rreth 6 muaj më parë në emisionin DebatPërnime, në kuadër të debateve “Jeta në Komunë’, përballë Jeta Xharrës dhe Kuvendit Komunal, ishte kryetari i Komunës së  Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Në debatin që zgjati rreth 1 orë e 18 minuta në mesin e temave të shumta u prek edhe çështja e ambientit, ku u paraqitën dhe video të ndotjes në Arbëri të Epërme, pastaj bërlloku në lagjen “Drenasi 2”.

Për këtë çështje, i pari i Drenasit kishte thënë se janë pastruar më shumë se 200 deponi.

“Jeta, unë kam fitu grant prej Ministrisë së Ambientit për pastrimin e deponive të shumta, që na mund të them i kena pastru mbi 200 deponi me bërllok.” – kishte thënë kryetari Lladrovci.

Tutje, Lladrovci pati thënë se do të pastrohen edhe këto, kur t’u vijë rendi.

Duket se Komuna e Drenasit do të adresojë problemet me bërllokun. Të enjten, më 15.05.2025, në E-prokurim është hapur thirrje për Kontratë me titull “Pastrimi i deponive të egra”.

Nëpërmjet këtij aktiviteti të prokurimit me procedurë të hapur dhe kriter për dhënie të Kontratës – çmimi më i ulët parashihet të nënshkruhet Kontratë në vlerë deri 20,000 euro.

Me këtë Kontratë parashihet të bëhet mbledhja dhe pastrimi i mbeturinave të amvisërisë (letër, shishe, qese, plastik etj., në deponitë ilegale, brezeve rrugore, hapësirave të gjelbëra publike, në sasi 100 tonë.

Mbi 2,110 metër kub parashihet pastrim, mbledhje, ngarkim, rrafshim dhe transport i mbeturinave inerte (ndërtimore), deri në deponinë e mbeturinave inerte (ndërtimore).

Tutje është planifikuar të vendosen 25 copë tabela paralajmëruese.