Foto: Denis Sllovinja

Nga Badovci në arbitrazh ndërkombëtar, saga e pronave që i kushton Kosovës 840 mijë euro

Kosova ka hyrë në një betejë të re ligjore ndërkombëtare. Ministria e Drejtësisë ka angazhuar firmën ligjore “DER Disputes AB” me vlerë 840 mijë euro për ta përfaqësuar vendin në arbitrazh, lidhur me kontestin e shumëpërfolur të këmbimit të pronave në Badovc. Vendimi komunal që ndezi përplasjet politike, u pezullua nga gjykata dhe më pas u anulua nga vetë Asambleja e Prishtinës, por pasojat tashmë kanë kaluar kufijtë e vendit. Një sagë lokale pronash është shndërruar në një çështje arbitrazhi ndërkombëtar, me kosto të lartë dhe peshë politike.

Dikasteri qeveritar i drejtësisë në Kosovë, ka përzgjedhur firmën ligjore e cila do ta përfaqësojë Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit.

Nëpërmjet platformës elektronike për prokurimin publik në vend, “E-prokurimi” bëhet e ditur se me çmim të përgjithshëm të kontratës 840,000 euro, Ministria e Drejtësisë ka kontraktuar firmën ligjore “DER Disputes AB” me kohëzgjatje 36 muaj. Firma ligjore me të cilën u nënshkrua kontrata, fillimisht kishte ofertuar me 910,000 euro. Veçantia e kësaj kontrate është se firma fituese ka themelues një jurist shqiptar me karrierë ndërkombëtare.

Burimi_AK Ministria e Drejtesisë_e-prokurimi
Burimi_AK Ministria e Drejtesisë_e-prokurimi

Në këtë aktivitet të prokurimit konkurruan edhe dy operatorë ekonomik, firma ligjore që më parë kishte përfaqësuar Kosovën në Arbitazh, “Squire Patton Bogs”, pati ofertën fillestare 1,500,000 euro, pas negocimit çmimi ishte ulur në 1,400,000 euro, dhe Zeller Rechtsanwalte GMBH me çmim fillestar 1,200,000 euro në 1,080,000 euro pas negocimit.

Për këtë kontratë, Ministria e Drejtësisë si Autoritet Kontraktues përdori procedurën e negociuar të prokurimit pa publikim të njoftimit për kontratë, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Ministria e Drejtësisë kishte parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 1,000,000 euro për blerjen e shërbimeve të përfaqësimit ligjor të Kosovës në arbitrazh.

Kush është firma ligjore “DER Disputes AB”?

DER Disputes me seli në qytetin e Stokholmit të Suedisë, është një zyrë ligjore e specializuar në të drejtën tregtare dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, me fokus në çështje komplekse kombëtare dhe arbitrazh ndërkombëtar.

faqen zyrtare të saj thuhet se kjo firmë ligjore dallohet për qasje të personalizuar, reagimin e shpejtë dhe përkushtimin ndaj objektivave të biznesit të klientëve, duke vepruar si partner i besueshëm gjatë gjithë procesit ligjor.

Ajo përfaqëson një gamë të gjerë klientësh, përfshirë shtete, korporata shumëkombëshe dhe ndërmarrje të vogla e të mesme. Falë kombinimit të ekspertizës praktike dhe akademike DER Disputes ofron zgjidhje ligjore cilësore dhe efikase, duke mbrojtur interesat e klientëve në kontekste të ndërlikuara ligjore, brenda dhe jashtë vendit.

DER Disputes u themelua nga shqiptari  Ylli Dautaj, një jurist me përvojë ndërkombëtare dhe partner themelues i DER Disputes, ai udhëheq ekipin në zgjidhje të mosmarrëveshjeve dhe është i specializuar në arbitrazhin ndërkombëtar, përfshirë arbitrazhin tregtar dhe atë të traktateve të investimeve.

Dautaj përfaqëson klientë nga shtete, kompani shumëkombëshe, biznese të mesme e të vogla dhe individë në çështje komplekse ligjore që lidhen me energji, marrëveshje aksionerësh, ndërtim, shitje/shërbime dhe çështje teknologjike.

Sipas të dhënave publike, Ylli Dautaj është gjithashtu një akademik i njohur, mban Ph.D. në drejtësi nga University of Wdinburgh dhe ka pozita mësimore në universitete të njohura ndërkombëtarisht si Durham Law School dhe Penn State Law, si dhe ka qenë ligjërues në institucione të tjera të larta arsimore.

Dautaj ka publikuar shumë artikuj dhe libra në fushat e tij të ekspertizës dhe flet disa gjuhë, përfshirë shqipen, anglishten dhe atë suedeze.

Në profilin e tij profesional përmenden edhe përvoja specifike në përfaqësimin e klientëve në arbitrazhe investitor-shtet dhe çështje të tjera të arbitrazhit ndërkombëtar, si dhe përfshirja në publikime dhe mësimdhënie në institucione akademike të rangut të lartë.

Rasti që Qeveria pranoi për ballafaqim në Arbitrazh

Në dokumentacionin e tenderit, evidentohet se Qeveria ka pranuar rastin e Arbitrazhit (UNCITRAL) të Rahman Haradini dhe Shaban Konxheli kundër Kosovës me pretendimin për kompensimin e dëmit si pasojë e shpronësimit.

Burimi_AK Ministria e Drejtësisë_e-prokurimi
Burimi_AK Ministria e Drejtësisë_e-prokurimi

Ministria e Drejtësisë- Avokatura Shtetërore, ka ushtruar kërkesë që të iniciojë procedurat ligjore për emërimin e përfaqësuesit të autorizuar ligjor për mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës në procedurën e arbitrazhit.

Duke marrë parasysh kërkesat e Avokatura Shtetërore, Ministria nisi procedurat për përzgjedhjen e firmës juridike me përvojë ndërkombëtare në procedurat e arbitrazhit.

Sipas kërkesës së dosjes së tenderit, firma juridike që përfaqëson Republikën e Kosovës, përveç detyrave specifike, është e obliguar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në interes të mbrojtjes së interesave të Republikës së Kosovës.

“Firma juridike e kontraktuar do të sigurojë që të gjitha veprimet e nevojshme janë ndërmarrë në interes të përfaqësimit dhe mbrojtjes së suksesshme të interesave të Republikës së Kosovës ndaj paditësit.”- thuhet në mes tjerash në dosjen e tenderit.

Këmbimi i pronave, “PO-ja” e Kuvendit që mori kthesë tjetër

Më 26.12.2023, Kuvendi Komunal në Prishtinë mori vendim për këmbim të pronave në Badovc me prona në lagjen Prishtina e Re, proces ky që kishte nisur qysh në mandatin e dytë të ish kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Vendimi_Komuna e Prishtinës
Vendimi_Komuna e Prishtinës

Partneri qeverisës në kryeqytet PDK kishte bojkotuar këtë seancë, derisa LVV kishte siguruar kuorumin me prezencën e tyre në seancë.

Pas këtij bojkotimi nga PDK dhe daljes së tyre publikisht në mospërkrahje të këtij këmbimi, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama nisi shkarkimin e drejtorëve që vijnë nga radhët e kësaj partie. PDK pretendonte se kjo është hakmarrje pikërisht për pronat në Badovc.

Sipas dokumentit që siguroi KALLXO.com, mësohet se pas miratimit nga Kuvendi Komunal, vendimi ju është dërguar Ministrisë së Administrimit dhe pushtetit Lokal [MAPL] për shqyrtim. MAPL pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës, e ka vlerësuar se akti i Komunës së Prishtinës në aspektin procedural është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.

Gjykata shtyu këmbimin e pronave

Lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronave në Badvoc, Instituti i Kosovës për Drejtësi, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv Ehat Miftaraj, sipas padisë së datës 25 janar 2024, kishte kërkuar nga Gjykata që të aprovohet kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit të Kryeqytetit të datës 26 dhjetor 2023, deri në vendosjen meritore të çështjes kryesore.

Kurse Komuna e Prishtinës në parashtresën e datës 1 shkurt 2024 i kishte propozuar gjykatës që të refuzohet në tërësi kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit si e pathemltë.

Gjykata e Prishtinës përmes një aktvendimi të nxjerrë më 2 shkurt 2024 e ka aprovuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për këmbimin e pronës komunale në “Prishtina e Re” me pronat në Badovc.

Në arsyetimin e Gjykatës  thuhet se për të vlerësuar propozimin e IKD-së, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, kjo gjykatë iu referua Ligjit për Konfliktet Administrative nga ku gjeti se, propozimi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të lartcekur është i bazuar.

Tutje shpjegohet se Gjykata gjeti se në propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, IDK-ja ka ofruar argumente të besueshme dhe se në rastin konkret janë përmbushur në tërësi dhe në mënyrë kumulative të gjitha kushtet e parapara me Ligjin për Konfliktet Administrative për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar.

Gjithnjë sipas aktvendimit, IDK-ja është vlerësuar se ka ofruar argumente të besueshme të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimit për pronat do t’i sillte dëm, i cili dëm vështirë do të riparohej.

Gjithashtu, gjyqtarja Luljeta Maxhuni e cila e nxori këtë aktvendim gjeti ndër të tjera se shtyrja e ekzekutimit të vendimit deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore, nuk është në kundërshtim me interesin publik e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar.

Asambleja anuloi vendimin për këmbimin e pronave 

Në seancën e datës 8 Shkurt 2024, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka anuluar vendimin për këmbimin e pronave në zonën e mbrojtur në Badovc me ato tek lagjja ‘Prishtina e Re. Kjo pikë u votua me 27 vota.

Për të anuluar këtë vendim, partia që ishte në koalicion qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës ishte bërë bashkë me partinë opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje.

Në seancë kishte marrë pjesë kryetari Përparim Rama me kabinetin e tij dhe asamblistë të LDK-së, por të njëjtit patën lëshuar sallën para se kjo pikë të hidhet në votim.