Foto: Komuna e Drenasit
Vërshimet dëmtojnë urën, ndalohet qarkullimi në rrugën Drenas–Shtrubullovë–Krajkovë
Ndalohet qarkullimi mbi urën që ndodhet në rrugën Drenas–Shtrubullovë–Krajkovë, më saktësisht në afërsi të varrezave të Drenasit.
Kjo për arsye të dëmtimeve serioze të shkaktuara nga reshjet me ç’rast paraqitet rreziku për qarkullim.
“Për arsye sigurie, qarkullimi mbi urë ndalohet përkohësisht deri në një njoftim të radhës. Komuna e Drenasit, në ditët në vazhdim, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal”- thuhet në njoftim.
Komuna njofton se në ditët në vazhdim do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal.
“Lusim qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik që të mos e shfrytëzojnë këtë rrugë dhe të përdorin rrugët alternative deri në sanimin e saj”- bëjnë të ditur komunarët.
Drenasi është njëra nga komunat e prekura nga vërshimet që kanë përfshirë Kosovën që nga 06.01.2026.
Në territorin e Komunës së Drenasit kishte mungesë të ujit të pijes.
Po ashtu kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, kishte bërë të ditur se ka marrë vendim që të pezullohet vijimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar deri më 14.01.2026.
Kështu ai kishte njoftuar përmes një postimi në rrjetin social facebook ku tregoi se rrugët e Drenasit ishin me borë, kishin rrugë të vërshuara nga uji kurse në këtë komunë ka edhe mungesë të ujit të pijes.
Komunat që janë ballafaquar me pasojat e vërshimeve nga reshjet e dendura të shiut janë: Rahoveci, Klina, Malisheva, Skenderaj, Drenasi, Gjakova, Fushë-Kosova, Prizreni, Deçani, Mitrovica e Vushtrria.