Rifat Latifi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ministri Latifi flet për Ligjin për sigurime shëndetësore dhe për Sistemin Informativ Shëndetësor

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për Ligjin për sigurime shëndetësore dhe Sistemin Informativ Shëndetësor.

Latifi ka thënë se brenda dy viteve Ligji për sigurime shëndetësore duhet të jetë funksional, të paktën pjesërisht.

“Me funksionalizu komplet, ne kemi një grup punues ata do të na tregojnë sa duhet, por këtë më së largu brenda dy viteve duhet me pas funksionale të paktën pjesërisht, ndoshta jo çdo aspekt të sigurimit shëndetësor”, ka thënë ai.

Ministri ka thënë se ky Ligj është obligativ pasi sipas tij ndryshe nuk mund të realizohet dhe ndërtohet shëndetësia në Kosovë.

Latifi ka folur edhe për Sistemin Informativ Shëndetësor dhe tha se kjo është dashur të përfundojë para 10 viteve.

“Sistemi Informativ Shëndetësor është një sagë e veçantë e jona. Para 10 vite kjo ka qenë dashtë me u krye”, shtoi ai.

Ai po ashtu tha se tash teknologjia është më e lirë sesa në kohën kur është filluar të punohet për Sistemin Informativ Shëndetësor.

“Sot teknologjia është më e lirë nuk duhen aq. Tash është një gjendje tjetër nuk na duhen 20 milionë sa është dashur përpara”, tha Latifi.