Reja flet për ndeshjet me Poloninë e Hungarinë, kërkon 4 pikë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edi Reja gjatë konferencës para dy sfidave të tetorit kundër Hungarisë dhe Polonisë ka deklaruar se dëshiron të marrin 4 pikë.

Reja ka deklaruar se Shqipërisë i duhet fitore ndaj Polonisë meqë është kundërshtari direkt për kualifikim.

“Me Poloninë duhet medoemos të fitojmë, është rivali ynë direkt në grup kështu që nuk kemi asnjë alternativë tjetër. Megjithatë nuk më pëlqen të bëjë llogari të tilla para ndeshjeve. Dua që t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës”, është shprehur Reja në konferencë për media.

Ndërsa sa i përket ndeshjes me Hungarinë, Reja e ka quajtur sfidë shumë të rëndësishme për rrugën përpara për botërorin e vitit të ardhshëm.

“Tani kemi Hungarinë, një sfidë shumë deçizive dhe më pas Poloninë. Në rastin më të keq duhet të paktën të marrim tri pikë në ndeshjen me Poloninë për të ruajtur pozicionin që kemi dhe për të shpresuar në fund pasi një humbje do të na komprometonte shumë ndaj Hungarisë Ideale për mua do të ishte katër pikë në këto dy ndeshje “deklaroi Reja gjatë konferencës për shtyp

Ai po ashtu ka folur edhe për situatën me Taulant Xhakën dhe arsyen se pse Xhaka nuk ka qenë pjesë e Kombëtares.

“Më vjen keq për Xhakën, për cilësitë që ka do të na jepte një dorë shumë të mirë por mund të them që ai e ka refuzuar ftesën. Unë e kam ftuar disa herë edhe vitin e kaluar por ka disa probleme fizike. E kam ftuar edhe së fundmi por ai nuk është përgjigjur pozitivisht, kështu që është e kotë që unë të vazhdoj të shpresoj dhe t’i dërgojë ftesa për faktin se nuk po vjen’’ ka thënë trajneri.