Reçica: Kryeministri duhet të thirret në interpelancë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Elmi Reçica, ka thënë se është shumë e domosdoshme që qeveria ta merr seriozisht mbështetjen financiare për familjet nën asistencë sociale e pensionale, policët dhe stafin shëndetësor.

Reçica gjatë interpelancës me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në lidhje me “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”, tha se nuk janë parti opozitare për të dhënë premtim e mos ta përmbushur atë.

“A jeni të vetëdijshëm që në muajt e fundit ka ngritje të çmimit në treg për vajin, sipas disa vlerësimeve deri në 60 për qind si dhe të artikujve tjerë kryesor ushqimor të konsumit mujor. Ka ngritje të çmimeve të derivateve”, tha ai.

Reçica, shtoi se familjet me asistencë sociale e pensionale kanë nevojë të sigurojnë edhe ilaçe.

“Familjet kosovare që janë në asistencë sociale dhe pensionale u duhet të sigurojnë ilaçet për buxhetin vetiak për anëtarët e familjes që janë të prekur me COVID19. Mjekimi për një individ shkon 2 mijë deri në 3 mijë euro dhe ende nuk kemi vaksina kundër COVID”, tha Reçica.

Ai tha se mund të konkludojnë që shtesat e miratuara nga qeveria për familjet me asistencë sociale dhe pensionale janë tallje me këto familje e jo asistencë.

Reçica gjithashtu tha se interpelanca do të duhej t’i bëhej kryeministrit.

“Në debatet e tilla zakonisht preferohet që të thirret kryeministri, se ne e dimë që nuk ka qeveri ka kryeministër, e dimë që s’ka Vetëvendosje ka Albin Kurti”, tha ai.