Reagon presidenca: Nuk e kemi organizuar aktivitetin me fëmijët

Aktiviteti ku fëmijët shihen duke mbajtur në duar foto të Presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca brenda objektit të Kuvendit nuk është organizuar nga Presidenca, thonë këta të fundit.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Egnesa Vitia nga zyra e Presidentes.

“Aktivitetin ku fëmijët mbajnë kopje të buletinëve të Kuvendit, në kopertinat e të cilave janë fotografitë e Presidentes dhe Kryetarit të Kuvendit, nuk e ka organizuar Presidenca, nuk kemi të bëjmë fare me këtë event”, ka thënë Vitia.

Disa orë më parë, kishte reaguar edhe Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

Kërçelu kishte shkruar se fëmijët pa dijeninë e tyre kishin mbajtur në duar fotografitë e dy liderëve shtetëror.

“Pajtohemi që nxënësit e shkollave të ndryshme të Kosovës të bëjnë vizita në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të njoftohen nga afër me punët e institucioneve të vendit. Një veprimtari e tillë ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën. Mirëpo jemi kundër kësaj praktike që fëmijët të mbajnë në dorë fotografi të figurave politike”, tha Kërçeli.

Fotografia e disa fëmijëve duke mbajtur në duar fotografi të presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca brenda objektit të Kuvendit të Republikës është bërë temë diskutimi në rrjetet sociale.

Një grup i fëmijëve mbajnë në duar fotografinë e Osmanit e Konjufcës, reagojnë nga Kuvendi