Një grup i fëmijëve mbajnë në duar fotografinë e Osmanit e Konjufcës, reagojnë nga Kuvendi

Një fotografi e disa fëmijëve duke mbajtur në duar fotografi të presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca brenda objektit të Kuvendit të Republikës është bërë temë diskutimi në rrjetet sociale.

Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka konfirmuar se këta fëmijë e kanë vizatuar institucionin e Kuvendit, por që pa dijeninë e tyre është shkrepur fotografia e tillë, ku fëmijët e mitur mbajnë në duar fotografi të dy liderëve të shtetit.

Kërçeli ka shkruar se si kabinet nuk pajtohen dhe nuk e përkrahin një gjest të tillë.

“Pajtohemi që nxënësit e shkollave të ndryshme të Kosovës të bëjnë vizita në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të njoftohen nga afër me punët e institucioneve të vendit. Një veprimtari e tillë ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën. Mirëpo jemi kundër kësaj praktike që fëmijët të mbajnë në dorë fotografi të figurave politike”, tha Kërçeli.

Sipas tij, fëmijët duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Kërçeli shtoi se kjo ka ndodhur pa dijeninë e tyre.

“Fëmijët e kanë botën e tyre të pastër dhe të pafajshme dhe duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Por për këtë janë përgjegjës mësimdhënësit. Shprehim keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë tonë”, ka përfunduar Kërçeli.

Poashtu, për këtë fotografi kanë reaguar edhe nga presidenca, duke thënë që ky event nuk ka qenë i organizuar nga ta.

“Aktivitetin ku fëmijët mbajnë kopje të buletineve të Kuvendit, në kopertinat e të cilave janë fotografitë e Presidentes dhe Kryetarit te Kuvendit, nuk e ka organizuar Presidenca, s’kemi të bëjmë fare me këtë event”, tha për KALLXO, Egnesa Vitia nga kabineti i presidentes Osmani.