Rasti i Besnik Berishës, Gjykata merr vendim

Gjykata e Ferizajit ka marrë vendim me të cilin u ka vazhduar masat e sigurisë avokatit Besnik Berisha dhe të dyshuarve të tjerë edhe për dy muaj.

Avokatit Besnik Berisha i vazhdohet masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar. Pesë të dyshuarve të tjerë Nexhat Xhafa, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refik Cakolli dhe Adonis Salihu u është vazhduar masa e paraburgimit kurse të dyshuarit Ismet Salihu i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak.

Masat e lartcekura vlejnë deri më 10 tetor 2023.

Ky vendim është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës së Ferizajit, Sahit Krasniqi, në bazë të kërkesës së Prokurorit të rastit – Rasim Maloku.

Kërkesa e parashtruar nga prokurori Maloku ishte që të dyshuarit Besnik Berisha t’i zëvendësohej me paraburgim masa e ndalimit të afrimit ndaj persnit apo vendit, mirëpo këtë kërkesë e refuzoi gjyqtari i rastit.

Sipas Malokut, masa e deritanishme për Berishën është e paefektshme.

“Është e nevojshme zëvendësimi i kësaj mase për të pandehurin Besnik Berisha, pasi që kjo masë deri më tani është treguar e pa efektshme, se i pandehuri në mënyrën e paraqitjes publike në mjetet e informimit drejt për drejt ka ndikuar në dëshmitar dhe të dëmtuar me çka ka penguar hetimet në këtë çështje penale” – thuhet në kërkesën e Prokurorit.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, avokati Berisha nuk guxon që t’i afrohet në distancë prej 50 metrave personave Gëzim Sinani, Salih Sinani, K.S, B.S, Sh.R si dhe personave të tjerë të përfshirë në aktvendimin për fillimin e hetimeve.

Në rast se ndodh e kundërta ndaj Berishës mund të caktohet masa e paraburgimit.

Ata ishin arrestuar nën dyshimet e prokurorisë për ushtrim të ndikimit; dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, dhe pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Sipas dosjes së prokurorisë që e kishte siguruar KALLXO.com, avokati Besnik Berisha dyshohet se kishte kërkuar 20,000 euro me arsyetimin se të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, të akuzuar në rastin “Brezovica”, do i mbrojë në procedurën hetimore pa autorizim.

Dosja e prokurorisë thotë tutje se këto të holla Berisha i kishte kërkuar nga i ati i të akuzuarve, nga i cili kishte marrë 11,000 euro.

Kjo pretendohet të ketë ndodhur në periudhën tetor – dhjetor të vitit të kaluar.

Kurse, në fund të dhjetorit 2022 pasi që i ishte refuzuar kërkesa për të vizituar të lartcekurit në paraburgim, avokati Berisha, sipas dosjes së Prokurorisë së Ferizajt, ka marrë fillimisht 7 mijë e më pas edhe 4 mijë euro nga babai i të pandehurve.

Këtë shumë e kishte marrë duke i udhëzuar të pandehurit që të mos e pranojnë fajësinë, thekson po ashtu dosja.

Sipas dosjes së Prokurorisë, këto veprime i ka ndërmarrë me qëllim që të ushtrojë ndikim te gjyqtarët për t’u ndërprerë masa e paraburgimit. Ndikimi i supozuar nuk ishte realizuar.

Në vazhdim, avokati Berisha dyshohet se ka ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe arrestimit të të akuzuarit Sh.R.

Lidhur me këtë, me rastin e mbajtjes së seancës dëgjimore për të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, Berisha ishte futur në sallë dhe i kishte udhëzuar të pandehurit të mos e përmendnin Sh.R.

Këtë veprim, avokati Berisha e kishte ndërmarrë pa pasur autorizim.

Pas përfundimit të seancës, sipas Prokurorisë, avokati Besnik Berisha ishte takuar me babanë e të pandehurve Gëzim Sinani dhe Salih Sinani, para objektit të Gjykatës.