Për çfarë dyshohet avokati i arrestuar Besnik Berisha?

Avokati Besnik Berisha është arrestuar dje nën dyshimet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit dhe dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, avokati Besnik Berisha kishte kërkuar 20,000 euro me arsyetimin se të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, të akuzuar në rastin “Brezovica”, do i mbrojë në procedurën hetimore pa autorizim.

Dosja thotë se këto të holla Berisha i kishte kërkuar nga i ati i të akuzuarve, nga i cili kishte marrë 11,000 euro.

Kjo pretendohet të ketë ndodhur në periudhën tetor – dhjetor të vitit të kaluar.

Kurse, në fund të dhjetorit 2022 pasi që i ishte refuzuar kërkesa për të vizituar të lartcekurit në paraburgim, avokati Berisha, sipas dosjes së Prokurorisë së Ferizajt, ka marrë fillimisht 7 mijë e më pas edhe 4 mijë euro nga babai i të pandehurve.

Këtë shumë e kishte marrë duke i udhëzuar të pandehurit që të mos e pranojnë fajësinë, thekson po ashtu dosja.

Sipas dosjes së Prokurorisë, këto veprime i ka ndërmarrë me qëllim që të ushtrojë ndikim te gjyqtarët për t’u ndërprerë masa e paraburgimit. Ndikimi i supozuar nuk ishte realizuar.

Në vazhdim, avokati Berisha dyshohet se ka ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe arrestimit të të akuzuarit Sh.R.

Lidhur me këtë, me rastin e mbajtjes së seancës dëgjimore për të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, Berisha ishte futur në sallë dhe i kishte udhëzuar të pandehurit të mos e përmendnin Sh.R.

Këtë veprim, avokati Berisha e kishte ndërmarrë pa pasur autorizim.

Pas përfundimit të seancës, sipas Prokurorisë, avokati Besnik Berisha ishte takuar me babanë e të pandehurve Gëzim Sinani dhe Salih Sinani, para objektit të Gjykatës, thuhet në dosjen e Prokurorisë që mban datën e sotme, 14 korrik.

Sipas Prokurorisë, kjo kishte ndodhur në periudhën nëntor – dhjetor 2022.

Gëzim dhe Salih Sinani dyshohen se në bashkëkryerje me Sh.R. kishin kryer veprën penale – fajdeja.

Vepra e tretë e cila i ngarkohet avokatit Berisha është pengimi i të provuarit.

Këtë vepër ai dyshohet se e ka kryer nga 21 shtatori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti, duke parandaluar personat në dhënien e informacioneve zyrtarëve policorë dhe prokurorit.

Tutje, sipas Prokurorisë ai kishte kërkuar përmes familjarëve dhe mbrojtësve të të pandehurve të mos deklarohen në Polici dhe Prokurori lidhur me të pandehurin Sh.R.

Në një prononcim për KALLXO.com, Naim Rudari, avokat i Besnik Berishës, dje ka thënë se arrestimi është i kundërligjshëm dhe arbitrar.

Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar sot masën e paraburgimit për avokatin Besnik Berisha si dhe gjashtë personat e tjerë, të arrestuar dje nën dyshimin për dhënie e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale, pengim i të provuarit dhe ushtrim i ndikimit.

Gjykata e Ferizajt sot mbajti seancën dëgjimore lidhur me këtë kërkesë.