‘Toka’ - I akuzuari Syla e quan aktakuzën të montuar

Rasti “Toka” doli në shesh tetë vite më parë, kur prokurorët e EULEX-it filluan ndjekjen penale ndaj Azem Sylës, që rezultoi me arrestimin e tij në prill të vitit 2016. Për këtë rast pos Azem Sylës, të akuzuar janë edhe 17 persona të tjerë lidhur me tjetërsimin e pronave shoqërore.

Tetë vite pas, pas një numri të konsiderueshëm të seancave të dështuara, në seancën e së enjtes më 15.02.2024 procesi vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit.

Dhënia e mbrojtjes filloi me të akuzuarin Azem Syla, për të cilin avokati Besnik Berisha tha se mbeten prapa dhënies së mbrojtjes që e kishte bërë Syla më 19.02.2020 në pyetjet e avokatit të tij. Berisha tha se radha për parashtrim të pyetjeve kishte mbetur tek prokuroria dhe trupi gjykues.

Në këto rrethana prokurorja Fekrie Fejzullahu tha se sipas procesverbalit të datës 19.02.2020 radha ka mbetur tek trupi gjykues për të parashtruar pyetje, pasi që e njëjta qëndron në tërësi prapa pyetjeve të prokurorëve të më hershëm. Ndërsa, trupi gjykues në përbërje me Arben Hotin, Mentor Bajraktarin e Lutfi Shalën nuk patën pyetje për të akuzuarin Syla.

Gjykimi tutje vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuar i listuar në radhë si i dytë në aktakuzë, Shaban Syla, i cili tha se nuk qëndron mbrapa deklaratave që i kishte dhënë në polici.

“As një fjalë, asnjë rresht, në asnjë presje në asnjë send nuk qëndroj, në deklarimet e mëparshme, arsyeja pse nuk qëndroj është sepse prokurori më ka shantazhuar, më ka kërcënuar që të flasë vetëm që të pranoj se i kam marrë paret nga komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, m’ka thanë prano që i ke marrë paret prej tij edhe për veprën tjetër edhe je i lirë, besoj që shumë të akuzuarve këtu ju ka dhanë kjo mundësi ose kjo shantazhë”- tha Shaban Syla gjatë dhënies së mbrojtjes.

Sipas të akuzuarit Syla, aktakuza e Prokurorisë së Shtetit është e montuar dhe e fabrikuar nga ish-prokurori i kësaj aktakuze, Maurizio Salustro me Nazim Bllacën, që ky e quajti agjent i BIA-s serbe.

“Kjo aktakuzë është e montuar, e fabrikuar nga prokurori Salustro, me agjentin e BIA-s serbe Nazim Blaca”- tha tutje i akuzuari Shaban Syla.

Shaban Syla e vazhdoi dhënien e mbrojtjes duke thënë se qëllimi i prokurorit ndërkombëtar të asaj kohe ishte që ta dëmtonte UÇK-në me deklarimet e tij në shkëmbim të lloj-lloj oferte.

“Kam të shtoj se që nga viti 2009 e deri më sot, jam shantazhuar nga këta prokurorë, hetues – ndërkombëtar e vendas, vetëm ta dëmtoj UÇK-në, gjithfarë oferte kam pas, shkoj atje-atje me familje vetëm ti njollosë këta njerëz, këta dy të akuzuar serb po t’kishin rrejt për Azem Sylën dhe nuk do të ishin këtu në burg po në ministri të mbrojtjes edhe të rendit në Beograd”- tha tutje Shaban Syla.

I njëjti tha se kjo aktakuzë e ka dëmtuar në shëndet e familjarisht pasi këto sipas tij kanë qenë shpifje të Brukselit.

“Nga kjo aktakuzë apo nga aktakuzat e kalume, jam dëmtuar në shëndet dhe familjarisht nga këto shpifje edhe të Brukselit edhe shqipfolësve. Kam pas dy herë infarkt, kam pas rast të rëndë në familje krejt për shkaqet e kësaj aktakuze”- e përmbylli dhënien e mbrojtës i akuzuari, duke deklaruar se në pyetjet e Prokurorisë dhe Gjykatës do të mbrohet në heshtje, pas dakordimit me mbrojtësen e tij, Adelina Hoxha.

Me përfundimin e dhënies së mbrojtjes nga dy të akuzuarit e parë, seanca pritet të vazhdojë të premten më 16.02.2024 me dhënien e mbrojtjes së 16 të akuzuarve të tjerë.

Me të filluar seanca trupi gjykues njoftoi palët që është refuzuar propozimi për administrimin e provave të reja nga i akuzuari Vidosav Novakoviq, i cili kishte propozuar më 14.02.2024 që të ftohen për të dëshmuar Nazim Bllaca, Zharko Bujoviq, Blazo Vujoviq dhe Fatmir Prapashtica.

Sipas Prokurorisë, dëmi që i është shkaktuar shtetit nga veprimet e të akuzuarve është dhjetëra milionësh.

Rasti ishte duke u gjykuar nga gjyqtarë të EULEX-it, por më pas lënda është bartur në duart e drejtësisë vendore.

Lënda është në duart e gjyqtarëve Arben Hoti (kryetar i trupit gjykues), dhe Lutfi Shala e Mentor Bajraktari (anëtarë). Prokuror i rastit është Naim Abazi. Por që i njëjti në seancën e së mërkurës 14.02.2024 nuk ishte prezent, i njëjti u zëvendësua nga prokurorja Fikrie Fejzullahu.

Tetë vite pas, sistemi i drejtësisë nuk ka arritur ende që t’i vë pikën këtij rasti maratonik pasi që seancat në vazhdimësi janë shtyrë ose kanë dështuar të mbahen.

Së bashku me Azem Sylën janë të akuzuar edhe 18 persona. Sipas organit të akuzës, të akuzuarit kanë lidhje në një formë ose tjetrën në rastin “Toka”.

Rasti numëron dhjetëra seanca të shtyra ose të dështuara që nga nisja e gjykimit për herë të parë.

Azem Syla dhe të tjerët akuzohen nga Prokuroria se si grup i organizuar kriminal kishin bashkëpunuar mes vete me qëllim që përmes falsifikimit të vendimeve dhe dokumenteve zyrtare t’i privonin Kosovës disa prona shoqërore.

Azem Syla në prill të këtij viti mbush 73-vjeç. Ai ishte arrestuar më 2016-tën, kur ishte 65-vjeçar.

Në këtë rast përveç Sylës të akuzuar janë edhe Artan Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviq.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë është ngritur nga i njëjti prokuror, i cili akuzon 17 persona për pastrim të parave. Mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Sylën dhe Vidosav Novakoviqin, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit e tjerë meqë është i njëjti rast.

Sipas Prokurorisë, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me rastin ‘Toka’ ju mund t`i lexoni duke klikuar në LINK