Rasti i 53 milionëshit, ish shefi i kabinetit të Pal Lekajt mohon që i akuzuari Eset Berisha i ka bërë presion drejtorit të zyrës ligjore

Në gjykimin për rastin e 53-milionëshit, ku të akuzuar janë ish-ministri Pal Lekaj, këshlltari i tij politik, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, dëshmi lidhur me këtë rast ka dhënë Argjend Zenaj.

Zenaj është dëgjuar në cilëinë e shefit të kabinetit të ish-ministrit Pal Lekaj, në Ministrinë e Infrastrukturës, periudhë kohore për të cilën akuzohet Lekaj.

Dëshmitari ishte propozuar që të dëgjohet nga mbrojtja e të akuzuarve, i cili ka treguar rreth opinionit ligjor i cili ishte kërkuar nga Zyra e Kryeministrit, që në atë kohë ka qenë Ramush Haradinaj.

Sipas tij, kjo kërkesë e Zyrës së Kryeministrit, është transmentuar në departamentet përkatëse brenda Ministrisë së Infrastrukturës, dhe është kërkuar nga departamentet e tjera që të asistojnë me dokumentacione për t`u kompletuar lënda, me qëllim që të bëhet opinoni ligjor.

“Ashtu siç na u rekomandu, sygjeru, udhërzu, nga Zyra e Kryeministrit, që është e nevojshme përpilimi i një opinoni ligjor, besoj që është në transkriptim kur është kërku, që është i nevojshëm një opinion ligjor, edhe ashtu siç është kërku nga Zyra e Kryeministrit, ashtu i është transmentu deparamtentit përkatës në MI që të përpilohet një opinion ligjor, dhe në të njëjtën kohë janë udhëzu deparatamentet e tjera që me kompletu me dokumentaicon të nevojshëm departamentin ligjor që me nxjerrë një opinon ligjor në bazë të ligjeve në fuqi, pjesa tjetër është histori”- tha dëshmitari.

Pas kësaj kërkese, sipas Zenajt është ftuar drejtori i zyrës ligjore i MI, Avdi Kamerolli dhe ju është transmetuar direkt kërkesa për përpilimin e një opinoni ligjor.

Dëshmitari tutje ka rrëfyer edhe vendin se ku ishte zhvilluar ky takim, që herën e parë kishte qenë në zyrën e Zenajt, kurse takimi kishte vazhduar tutje në zyrën e këshilltarit politik të Pal Lekajt, Eset Berishës.

“Është ftu drejtori i zyrës ligjore, Avdi Kamerolli dhe ju është transmentu kërksa e Zyrës së Kryeministrit. Ai ka ardhë në zyre te unë, tani jena dalë në zyrën ngjitur ku ka qenë zyra e  zotëri Eset Berishës”- tha dëshmitari në rrëfimin e tij.

Sipas dëshmitarit, drejtori i zyrës ligjore ka pasë rezervat e tij se nuk i posedon të gjitha dokumentet për hartimin e një opinoni ligjor ku departamentet përkatëse ishin udhëzuar që t’i asistojnë me çdo shkresë që i nevojitet.

“Ka shfaq rezerva me arsyetimin se nuk i posedon dokumentet, janë udhëzuar departamentet përkatëse që me ndihmu me çdo dokumentacion, për me përpilu një opinion të tillë”- tha tutje dëshmitari.

Tutje Zenaj ka thënë se pasi ishte përpiluar opinioni ligjor, ishte procedurar si pikë e rendit të ditës në Komitetin Drejtues Ndërministror ku më pas ishte dërguar për votim në Qeveri.

“Opinioni u përpilu, u dorëzu për me u procedu si pikë e rendit të ditës në Komitetin Drejtues Ndërministror, që po ashtu u mbajt në Zyrën e Kryemninstit e pastaj u procedu për votim në qerveri” – shtoi në vazhdim dëshmitari.

Pyetje për dëshmitarin paraqiti edhe vetë i akuzuari, Eset Berisha që sipas aktakuzës së PSRK-së i kishte bërë presion Avdi Kamerollit për ta ndryshuar opinionin ligjor të MI.

“A i kom bo presion, me fjalë ose me ndryshimin e opinionit”- e pyeti dëshmitarin, Eset Berisha kurse, “në dijenin time, ditët kur jemi taku me Avdi Kamerollin për këtë çështje, asnjëherë në asnjë formë nuk u shfaq nga askush ndonjë lloj presioni ndaj Kamerollit”- u përgjigj dëshmitari.

Tutje, gjyqtarja Violeta Namani- Hajra tha se sipas detyrës zyrtare Gjykata do të angazhojë ekspertizë financiare sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.

Lidhur me këtë avokati Artan Qerkini, i cili mbron të akuzuarin Pal Lekaj, tha se kanë identifikuar edhe disa pika të tjera për të cilat duhet të angazhohet eksperti financiar i cili do të përpilojë ekspertizën financiare.

Ndërsa në anën tjetër, prokurori Atdhe Dema tha se Gjykata e Apelit, në mënyrë të qartë i ka potencuar detyrat e ekspertit financiar.

Ndërkaq tutje, trupi gjykues tha se do të angazhohet grupi i ekspertëve i cili do të përgjigjet sipas kërkesave të mbrojtjes dhe rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.

Ndërsa në sesionin e pasdites është dëgjuar dëshmitari Valdrin Lluka përmes video-linkut.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte bërë precizimin e aktakuzës shumëfaqëshe të ngritur për katërshen e akuzuar për rastin e njohur si “53-milionëshi”, në lidhje me zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ish-këshilltari i tij politik Eset Berisha, ish-sekretari i kësaj Ministrie, Nebih Shatri dhe drejtori i prokurimit publik, Besim Tahiri, ishin gjetur fajtorë nga Gjykata e shkallës së parë më 31.01.2024.

Gjykata kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Ndërsa këshilltari i tij politik, Eset Berishën ishte  dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg dhe dënim plotësues prej 3 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike; sekretari i përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtorin e prokurimit publik në këtë ministri, Besim Tahiri ishin dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Me këtë vendim të Themelores nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte gjetur një varg shkeljesh, me ç’rast kishte dhënë rekomandime për kthimin e rastit në rigjykim.

Një prej rekomandimeve ka qenë që të specifikohen saktë se cilat nene të Ligjit të prokurimit publik dhe cilat nene të Statutit të Kodit të Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror ishin shkelur nga të akuzuarit.

Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sipas aktakuzës, katër të pandehurit me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare më 29 shtator 2017.

Sipas Prokurorisë, keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera për autostradën “Arbën Xhaferi”, e njohur si “R6”.

Me Kontratën Bazë, e cila ishte lidhur në vitin 2014, parashihej që autostrada të përfundonte më 18 janar 2018, kurse me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, kontrata do të përfundonte në fund të muajit dhjetor 2018.

Kjo marrëveshje, sipas Prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kosto financiare, që ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, sipas Prokurorisë, të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.

Tutje në aktakuzë thuhet se Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik, Eset Berishën, që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka”, për ta caktuar vlerën e marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur. Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.

Kjo kërkesë në vlerë prej 63 milionë euro ishte paraqitur më 27 nëntor 2017. Pastaj, sipas Prokurorisë, ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro, pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. E që me rekomandim të Komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar kërkesën në qershor 2018.

Sipas aktit akuzues, organet kompetente për zhvillimin e bisedimeve, marrjen e vendimit dhe përcaktimin e kostos financiare, lidhur me këtë projekt ishin: Komiteti Drejtues Ndërministror, i cili kryesohej nga Pal Lekaj dhe Njësia për Implementimin e Projektit.

Sipas Prokurorisë, pagesa për shumën prej 53 milionë euro ishte në kundërshtim të plotë me rekomandimin e kompanisë mbikëqyrëse të projektit, që ishte kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës “Hill International”.

Në rekomandimin e bërë në vitin 2017, “Hill International” kishte thënë që shuma e vetme që do duhej t’i paguhej kompanisë ndërtuese ishte 14,778,654.87 euro, krahas dy kërkesave të tjera që ishin 36.3 milionë euro të tjera, në emër të pajisjeve dhe 10 milionë të tjera në emër të pengimit për realizimin e projektit (dy kërkesat e fundit “Hill” i kishte konsideruar si të pabazuara). Këtë rekomandim, sipas Prokurorisë, e kishin shpërfillur të akuzuarit Pal Lekaj dhe Eset Berisha.

Këtë opinion, sipas Prokurorisë, Pal Lekaj nuk e ka prezantuar fare në mbledhjet e KDNM-së, të mbajtura për këtë arsye.

Përmbajtja e aktakuzës vazhdon duke treguar se si Pal Lekaj dhe këshilltari i tij Eset Berisha kishin kërkuar nga drejtori i Departamentit Ligjor të Ministrisë së Infrastrukturës, Avdi Kamerolli, ndryshimin e opinionit ligjor që e kishte përpiluar më herët lidhur me këtë rast.

“Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e Kontratës dhe Kompania mbikëqyrëse “Hill International”, si dhe Departamenti i Prokurimit Publik si nënshkrues i Kontratës, të cilët posedojnë njohuri të specializuara.” – përshkruhet të ketë qenë formulimi i opinionit paraprak ligjor nga Kamerolli, më 01.06.2018, me numër protokolli 5124.

Pas presionit që përshkruhet në aktakuzë se ka pasur drejtori i Zyrës ligjore, Avdi Kamerolli, nga Eset Berisha (përmes dërgimit të një draft-opinioni të shkruar në e-mail) dhe Pal Lekaj, ka hartuar një version të ri të opinionit ligjor, duke e hequr emrin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” dhe duke e lënë si kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit në kuadër të MI-së.

Kështu, Pal Lekaj si kryesues i KDNM-së, duke fshehur dhe mos paraqitur gjendjen reale para anëtarëve të tjerë të këtij Komiteti (respektivisht, opinionin e kompanisë “Hill International”), e duke prezantuar tashmë opinionin e ndryshuar të Avdi Kamerollit, të së njëjtës datë 01.06.2018, por që mban numër tjetër të protokollit 5142, i ka shtyrë anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror që të rekomandojnë te Qeveria e Kosovës që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enkës” për t’iu paguar shuma prej 53 milionë eurove – ashtu siç kishin kërkuar.

Duke mos përfillur opinionin e “Hill International” që parashihte pagesë për “Bechtel & Enka” për vetëm 14,778,654.87 euro, me të cilin vlerësim ishte pajtuar edhe kompania në fjalë, sipas Prokurorisë, me aprovimin e pagesës prej 53 milionë eurosh buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë euro.

Kështu, Prokuroria ka ardhur në përfundim se katër të akuzuarit në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Por, në bazë të përshkrimit të dispozitave të aktakuzës dhe aktvendimit të Prokurorit të Shtetit, të datës 7 gusht 2019, del se i pandehuri Eset Berisha ka ushtruar ndikim te drejtori i Zyrës ligjore, Avdi Kamerolli, gjë për të cilën shprehimisht në aktakuzë nuk specifikohet, siç ndodh me përshkrimin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Kjo çështje penale po trajtohet në rigjykim nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Namani-Hajra (kryetare) dhe Rrahman Beqiri e Donikë Shala – Abdyli (anëtarë). Kurse aktakuza përfaqësohet nga prokurori special, Atdhe Dema dhe Valdet Gashi.

Përbërja e trupit gjykues në rigjykim dallon nga përbërja e gjyqtarëve të cilët e kishin trajtuar herën e parë këtë çështje, e që ishin: Violeta Namani-Hajra (kryetare) dhe Vesel Ismaili e Musa Konxheli (anëtarë).

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t’i lexoni duke klikuar në këtë link