Rastet e dhunës në familje në Kosovë të raportuara në Polici

Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona gjatë 24 orëve të fundit të dyshuar për ushtrim të dhunës në familje në disa qytete të Kosovës  ndërsa ka pranuar edhe raportime të shumta.

Organet e rendit kanë arrestuar një grua pasi e njëjta dyshohet se ka rrahur nënën e saj në Prishtinë. E arrestuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rast tjetër i dhunës në familje është shënuar në kryeqytet. Policia ka arrestuar një burrë  nën dyshimin se në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj gruas. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është mbajtur në stacion policor deri në këndellje.

Policia e Kosovës ka njoftuar se një grua në Fushë Kosovë ka raportuar bashkëshortin për dhunë fizike ndaj saj. I dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Lipjan një vajzë e mitur ka raportuar burrin për dhunë fizike. Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është në arrati ndërsa vajza është kthyer në familjen e saj.

Një rast i ushtrimit të dhunës është shënuar në Suharekë mbrëmë rreth orës 01:00 të mëngjesit. Një vajzë ka raportuar se ka dhunë të vazhdueshme nga vëllai i saj. I dyshuari gjendet në arrati ndërsa nuk raportohet për të lënduar.

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Prizren, bënë të ditur Policia e Kosovës.

Në njërin rast, Policia ka shoqëruar në stacion policor një çift bashkëshortor, i cili dyshohet se janë rrahur në mes vete. Të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor për shkak të lëndimeve që kanë marrë. Pas intervistimit ata janë liruar.

Në Prizren një person është arrestuar pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së djalit të tij, rejës.  Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa një burrë tjetër në Prizren është arrestuar pasi ai ka rrahur gruan. Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës ka njoftuar se një grua në Prizren nga raportuar burrin për dhunë fizike të vazhdueshme të saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Rahovec, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një person pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.