Raportimet për import të shtyllave, Aliu: Kompania private importoi lëndë të parë nga Serbia, jo ministria

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka mohuar përfshirjen e dikasterit që ai drejton, në importin e lëndës së parë nga Serbia, duke theksuar se kjo është kryer nga një kompani private, në lidhje me raportimet e mediave se shtyllat për ndriçimin e autostradës së Gjilanit janë prodhuar nga një kompani serbe,

Sipas Aliut, ministria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të ndërhyjë apo monitorojë e ndalojë kompanitë private për lëndën që ato importojnë.

“Lajmi se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka importuar shtylla prej Serbisë është dezinformatë. Ministria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të ndërhyjë, apo të monitorojë e të ndalojë kompanitë private për lëndën e parë që ato importojnë”- ka shkruar Aliu në Facebook.

“Ministria mbikqyr konkursin, projektimin, punimet, cilësinë e realizimit dhe kohën, mirëpo Ministria as nuk e përcakton, e as nuk merr raportim e informim se prej nga vjen lënda e parë që e përdorin kompanitë private të kontraktuara. Ajo pjesë rregullohet vetëm nga ligjet dhe marrëveshjet në fuqi që tregojnë se cilat importe lejohen e cilat jo”- ka shtuar ai.

Aliu ka thënë se si ministri përcaktojnë specifikacionet teknike dhe dimensionet, teksa shton se “me ligj e kemi të ndaluar që të favorizojmë një produkt apo një prodhues”.

“Sigurisht se ne nuk do të dëshironim që furnizimi për lëndën e parë të bëhej nga Serbia për asnjë produkt, e sidomos nëse mund të sigurohet produkti nga vendet tjera”- ka theksuar ai.

Më tej ministri u shpreh se të gjitha pretendimet që fajësojnë ministrinë për lëndën e parë që e përdor një kompani private, sipas Aliut  “janë të pavërteta, dhe me tendencë për të dezinformuar dhe mashtruar opinionin publik”.

Mediat ditë më parë kanë raportuar se autostrada e Gjilanit do të ndriçohet me shtylla të cilat janë prodhim i një kompanie serbe e cila e ka selinë në Karalevë të Serbisë.

Në një konferencë për media të martën, Aliu ka deklaruar se ministri nuk mund t’i di se ku prodhohen materialet për autostrada.