Ndërrimi i tabelave të komunikacionit në veri. Foto: Liburin Aliu/Facebook
Mlladenoviq thotë se me Kurtin nuk u pajtuan për mënyrën e përdorimit të gjuhës serbe në tabelat në veri
Qëndrimet e kryeministrit të vendit Albin Kurti dhe Komisionerit për Gjuhë, Sllavisha Mlladenoviq për shkrimin në tabela të emrave të vendbanimeve në veri të Kosovës, dallojnë.
Kështu ka deklaruar për KALLXO.com Mlladenoviq, më 26.03.2024, një javë pas takimit të tij me kryeministrin Kurti, më 19.03.2024.
Këtë takim Mlladenoviq e kërkoi pasi kishin kuptuar përmes mediave se ka filluar zëvendësimi i tabelave me emrat e lokaliteteve në veri në gjuhën shqipe dhe atë serbe, dhe kanë parë se renditja e gjuhës në këto tabela, sipas tij, është gabim, bazuar në Kushtetutën e Kosovës.
Zëvendësimi i këtyre tabelave është iniciativë e Ministrisë së Infrastrukturës, e cila ka nisur këtë aksion më 14.03.2024.
Më 15.03.2024 Mlladenoviq deklaroi për KALLXO.com se Ministria e Infrastrukturës nuk është konsultuar me të për shkrimin e emrave të vendbanimeve në këto tabela.
Ndonëse, kur e kishte konfirmuar për KALLXO.com se e ka mbajtur takimin me kryeministrin Kurti, duke mos ndarë shumë detaje nga biseda që kishin pasur, Mlladenoviq kishte besuar se së shpejti do të dilnin me një deklaratë të përbashkët me Zyrën e Kryeministrit (ZKM).
Duke iu referuar nenit 59, paragrafit 9 të Kushtetutës së Kosovës, Mlladenoviq ka shpjeguar më 15.03.2024 se renditja e emrave në këto tabela duhet të jetë së pari në gjuhën serbe, pastaj në gjuhën shqipe, pasi sipas tij, gjuha e shumicës së banorëve është primare.
Neni 59 flet për të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, në paragrafin 9 thuhet “të kenë emërtime lokale, emërtime të rrugëve dhe tregues të tjerë topografikë, që pasqyrojnë dhe janë të ndjeshëm ndaj karakterit shumetnik dhe shumëgjuhësor të zonës përkatëse”.
Por, Mlladenoviq tha se qëndrimi i Kurtit për renditjen e gjuhëve në këto tabela është në përputhje me ligjin.
Sipas Mladenoviq, me Kurtin janë pajtuar që vendosja e të dy gjuhëve në tabelat në veri është e rëndësishme të sigurohet.
Në anën tjetër, Mlladenoviq më 15.03.2024 kishte theksuar se emrat e vendbanimeve në gjuhën serbe duhet të jenë të shkruara në alfabetin cirilik, pasi sipas tij, cirilika nuk është jashtëligjore.
Në këtë rast, Mlladenoviq ka shpjeguar se ZKM mendon ndryshe për çështjen e përdorimit të alfabetit cirilik apo latin, për shkrimin e emrave të vendbanimeve në gjuhën serbe.
“Ata, ZKM, mendon që në këtë formë si është (me alfabet latin) është përmbushur obligimi ligjor dhe nuk ka ndonjë çështje të diskutueshme, përderisa qëndrimi i Zyrës tonë është që duhet të respektohet neni 59 i Kushtetutës, i cili flet për renditjen e gjuhës, që do të thotë që në vendet me shumicë të popullatës serbe, së pari duhet të shkruhet vendbanimi serbisht e pastaj në shqip’’ – ka deklaruar Mlladenoviq.
Tutje, Mlladenoviq ka shtuar se sipas ligjit, vendbanimet shkruhen në shqip dhe serbisht në alfabetin e këtyre gjuhëve dhe se nuk ekziston diçka me ligj që thotë se alfabeti latin është alfabet serb.
Ai e ka konfirmuar se në të kaluarën emrat e vebdbanimeve në veri kanë qenë të shkruara në alfabet latin dhe cirilik, por të dyja në gjuhën serbe.
Sipas Mlladenoviq, në Graçanicë, shenjat e vendbanimeve që janë përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës e kanë së pari të shkruar vendbanimin në shqip e pastaj në serbisht në alfabet latin, përderisa ato tabela që janë në juridiksion të komunës së Graçanicësi i kanë vendbanimet e shkruara së pari në serbisht në alfabetin cirilik, e pastaj në shqip.
Se si vlerëson Ministria e Infrastrukturës se duhet të shkruhen emrat e vendbanimeve në gjuhën serbe në alfabetin latin apo cirilik, KALLXO.com e ka pyetur, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Mlladenoviq ka treguar po ashtu se kanë diskutuar me Kurtin edhe për dëmtimin e disa prej tabelave në veri, të cilat dyshohet se u dëmtuan gjatë natës së 15.03.2024 duke iu përshkëllyer me ngjyrë gjatë natës emrat në shqip.
Për këtë çështje, Mlladenoviq ka përmendur dëmtimin që sipas tij e kanë edhe tabelat në jug të Kosovës.
“Gjithashtu diskutuam për faktin që disa prej këtyre shenjave u dëmtuan (duke u fshirë emri shqip i vendbanimit), gjë për të cilën unë thash që ekzistojnë plotë shenja në jug të Kosovës që janë të dëmtuara (ku emrat serb të vendbanimeve janë fshirë) dhe ashtu janë duke mbet ato tabela qe sa kohë. U morëm vesh që edhe këto shenja me u ndrru dhe ai aksion ka filluar në gjithë Kosovën’’ – ka thënë Mlladenoviq.
Më 19.03.2024, zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin Mitrovicë – Veri, Veton Elshani kishte konfirmuar se ka filluar pastrimi i tabelave të vendbanimeve në gjuhën shqipe dhe serbe në veri të vendit.
Si rezultat i këtyre dëmtimeve në tabela, Mlladenoviq tha se kanë vlerësuar të mos ngrisin tensione, për shkak të reagimeve.
“Pra përderisa për shenja të vendbanimit ka pasë tendenca me u dëmtu tabelat edhe në veri edhe në jug, na nuk kemi dasht me ngrit tensione për këtë temë, sepse po e shihni si shpërthejnë reagimet. Por në momentin kur kjo temë erdhi në rend të ditës, duhet thënë që qëndrimi i Zyrës së Komisionerit të Gjuhes dallon me qëndrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të ZKM” – ka theksuar ai.
KALLXO.com e ka pyetur Kryeministrinë në lidhje me këto përfundime të cilat i ka deklaruar Mlladenoviq se i ka pasur pas takimit me Kurtin, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.
Ndërkaq, sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në nenin 9 paragrafi 2 thuhet “Shenjat zyrtare që shënojnë apo përfshijnë emrat e komunave, fshatrave, rrugëve, rrugicave dhe të vendeve të tjera publike, paraqiten në gjuhët zyrtare dhe në gjuhët e komuniteteve, gjuha e të cilave ka statusin e gjuhës zyrtare në komunë, në pajtueshmëri me nenin 2.3”.
“Në komunat e banuara nga një bashkësi, gjuha amtare e të cilës nuk është gjuhë zyrtare dhe e cila përbën së paku 5 për qind të popullsisë së përgjithshme të asaj komune, gjuha e asaj 2 bashkësie do të ketë statusin e gjuhës zyrtare në atë komunë dhe do përdoret barabartë me gjuhët zyrtare. Pavarësisht kësaj që u tha më lart, në mënyrë të veçantë, në komunën e Prizrenit gjuha turke do të ketë statusin e gjuhës zyrtare” – thuhet në nenin 2.3.
Mlladenoviq tregoi që Zyra e Komisionerit të Gjuhëve gjendet në katin e gjashtë të ndërtesës së Qeverisë e ZKM në katin e dytë dhe se është e shëndetshme që të ketë mendime të ndryshme, pra që nuk e ka të imponuar mendimin prej ZKM, që domosdo Komisioneri i Gjuhëve duhet të mendojë si kryeministri.
Në anën tjetër, më 15.03.2024, Partia e Serbëve të Kosovës (arkive) ka publikuar një postim në rrjetin social Facebook, e cila e ka konsideruar zëvendësimin e tabelave në veri si “fushatë për heqjen e gjuhës serbe në veri të vendit”.
Pretendimi i kësaj partie se “po hiqet gjuha serbe” në veri të vendit nuk qëndron pasi tabelat e reja përmbajnë emrat e vendbanimeve në dy gjuhë, fillimisht në gjuhën shqipe dhe poshtë saj në gjuhën serbe.