Rama flet për rëndësinë e ndërtimit të rrugës "A" në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar rrugën “Jim Xhema” apo “A” në Prishtinë, ku ka treguar rëndësinë që ka ndërtimi i kësaj rruge për qytetarët e Kosovës.

Ai ka thënë se ndërtimi i saj është i rëndësishëm fillimisht për banorët e lagjes “Kalabria”, të cilët, sipas tij ankohen për kundërmimin e ujërave të zeza tash e 11 vjet.

“Ndërtimi i rrugës “Jim Xhema” zgjidh problemin serioz dhe shumëvjeçar të kolektorit. Banorët e lagjes “Kalabria” dhe “Prishtina e Re” janë ankuar me të drejtë për rrezikshmërinë e lartë të kanalizimit të hapur” – ka deklaruar  Rama.

Po ashtu, sipas njoftimit ai ka thënë se ndërtimi i kësaj rruge do të shkarkojë trafikun e kryeqytetit.

“Rruga “Jim Xhema” do të shkarkojë dukshëm trafikun në kryeqytet, pasi do të ndërlidhë lagjen “Kalabria” me lagjen “Prishtina e Re”. Gjithashtu edhe pjesa e rrugës “B” do të lidhet me rrugën “Jim Xhema”. E në anën tjetër, do të lidhet me Unazën e re të kryeqytetit”- ka thënë ai.

Rama tutje theksoi nevojën që punimet në ndërtimin e rrugës të vazhdojnë sepse interesi publik është më i rëndësishëm se interesat politike e partiake.

“Kryeqyteti është i të gjithëve pa dallim. Transformimet për të mirën e përgjithshme nuk do të ndalen”- ka deklaruar ai.

Gjykata Komerciale më 20 tetor, pezulloi punimet për këtë rrugë në kryeqytet.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama ka hedhur akuza ndaj gjyqtares së rastit, Vlora Pacolli, që sipas tij është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit.

Gjykata Komerciale përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin e saj për deklarimet e zyrtarëve shtetërorë lidhur këtë vendim dhe ka thënë se është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore duke mos paragjykuar ato.

Kompania e kontraktuar për kryerjen e punëve në rrugën “Jim Xhema”, “Sallahu Shpk” me pronar Lulzim Sallahun, sipas Certifikatës së lëshuar nga Gjykata, nuk ka asnjë dënim dhe është plotësisht i përgjegjshëm sipas Ligjit të Prokurimit Publik.