Vendi ku dyshohet se ka trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë - Foto: ZKM
Qeveria i bën thirrje Serbisë për hapje të arkivave dhe lejim të gërmimeve në lokacionet e shënjuara në Serbi
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë për hapje të arkivave dhe lejim të gërmimeve në lokacionet e shënjuara në Serbi.
“Në Ditën ndërkombëtare të viktimave të zhdukjes me forcë, në tryezën e bashkë organizuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur me Këshillin Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, i bëmë thirrje Serbisë për hapje të arkivave dhe lejim të gërmimeve në lokacionet e shënjuara në Serbi”- thuhet në komunikatën e komisionit.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur theksoi domosdoshmërinë e angazhimit të faktorit ndërkombëtar për zbatimin e Deklaratës së adoptuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, duke bënë theksin edhe për qasje në informacione të klasifikuara, sic ishte kërkesa e datës 1 qershor për Komandën e Brigadës së 37-të të ushtrisë Jugosllave.
“Në respektim të zbatimit të Deklaratës për persona të zhdukur, adoptuar më 2 maj 2023, dhe pranimit nga ana e Serbisë përmes një dokumenti zyrtar, që të sigurojë qasje te plotë në informacione, përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur, më 1 qershor 2023 i jemi drejtuar me shkresë presidentit të Serbisë. Kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Kjo brigadë, përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës. Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur”- thuhet në komunikatë.
Në njoftim theksohet se edhe pse janë bërë gati katër muaj nga adoptimi i Deklaratës dhe tre muaj nga letra e dërguar Vuçiq, ende nuk ka përgjigje nga Serbia.
Në njoftim potencohet se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vërtetën, për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.