Foto: ZKM

Qeveria: Gjendja e jashtëzakonshme e propozuar nga presidenti është masë ekstreme

Qeveria e Kosovës vlerëson se gjendja e jashtëzakonshme e propozuar nga presidenti Hashim Thaçi është masë ekstreme dhe e panevojshme.

Kështu tha në një konferencë për shtypi zëvendëskryeministri Haki Abazi.

“Kryeministri Kurti është shprehur se nuk është në pajtueshmëri për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme që është propozuar nga presidenti Thaçi ,për një gjendje duhet të përcillet situatat dhe të veprohet në një gjendje kur nevojitet një gjendje të tillë. Tani nuk është e nevojshme dhe nuk duhet të merret një vendim të tillë”, ka thënë Abazi.

Këtë deklaratë zëvendëskryeministri Abazi e bëri pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur sipas tij nga kryeministri Albin Kurti.

Zëvendëskryeministri Haki Abazi ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka nën kontroll dhe në binarë menaxhimin e situatës për shkak të coronavirusit.

Pak minuta më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se i ka propozuar Kuvendit që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në vend pas situatës së krijuar me coronavirusin.

“Sonte jemi të detyruar t’i propozojë kuvendit dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme përfshin mobilizim e Forcës së Sigurisë. Ky dekret po ndodh për shkak të përhapjes së coronavirusit. Do t’i procedohet nesër Kuvendit”, shtoi presidenti Thaçi.