Presidenti i propozon Kuvendit shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në gjithë Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka propozuar Kuvendit që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në vend pas situatës së krijuar me coronavirusin.

Propozimin presidenti e ka bërë pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Lidhur me këtë çështje, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme nesër.

Njoftimin presidenti e dha para pak minutash pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës.

“Kosova nuk është vend i izoluar, është e përfshirë nga coronavirusi që paraqet shqetësim për gjithë botën, gjithë njerëzimin. Deri më tani janë të paraqitura 19 raste. Shpreh falënderimin dhe përulësinë ëpr mjekët, infermierët dhe gjithë p[ersonelin mjekësor për gjithë angazhimin e pakursyer që po bëjnë në përballimin e kësaj situate dhe mundësitë e ecjes më të sigurt më përpara”, ka thënë Thaci.

“Do të ishte papërgjegjësi e madhe mos marrja e të gjithave masave që kemi si shtet dhe si shoqëri. Duhet të mobilizohemi të gjithë më të gjithë angazhimet që i kemi. Duke respektuar edhe kushtetutën dhe ligjin, unë kam thirrur sonte për takim një konsultë dhe bashkëbisedim Këshillin e Sigurisë së Kosovës, kemi biseduar ka qenë një bisedë korrekte konstrukive dhe e marrja e masave që mos të kemi përsëritje të fenomenit të rasteve të tilla. Pas konsultave që zhvillova me kryeministrin dhe këshillin, dëshiroj që të mos eskalohet situata më tutje, kërkohet nga ne që të gjithë të jemi në krye”, tha ai.

“Sonte jemi të detyruar t’i propozojë kuvendit dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme përfshin mobilizim e Forcës së Sigurisë. Ky dekret po ndodh për shkak të përhapjes së coronavirusit. Do t’i procedohet nesër Kuvendit”, shtoi presidenti Thaçi.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus. Ndërsa, orë më parë u konfirmuan dy rastet e para në Gjakovë.

Të dy rastet janë kthyer nga Dusseldorfi i Gjermanisë, njëri i gjinisë mashkull 54 vjeç dhe tjetra e gjinisë femër 49 vjeçe.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.