Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Qeveria: Fushata kërcënuese e orkestruar nga Beogradi ndikoi në dalje të ulët të qytetarëve në zgjedhje

Qeveria e Kosovës ka dalë me një deklaratë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Mitrovicën e Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Në deklaratën e Qeverisë thuhet se në numrin e ulët të qytetarëve që kanë dalë në zgjedhje ka ndikuar frikësimi nga Beogradi.

“Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje” – thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se zgjedhjet janë manifestim i demokracisë, të cilat përveçse e drejtë e qytetarëve, janë obligim e përgjegjësi që burojnë nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit.

“Në të njëjtën kohë, janë domosdoshmëri për garantimin e funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe sigurimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve” – vazhdon njoftimi.

Qeveria i ka uruar kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur.

“U urojmë punë të mbarë dhe suksese në detyrat dhe përgjegjësitë e reja. Qeveria e Republikës së Kosovës u ofron mbështetjen e plotë të saj në shërbim të qytetarëve, pa dallim” – përfundon njoftimi.

Bashkimi Evropian thotë se zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe janë zhvilluar në mënyrë të qetë.

Duke shprehur keqardhje që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje, BE thotë se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve tregon se ky proces nuk mund të konsiderohet si zakonisht.

Dje, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit janë mbajtur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.

Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.