Logo; Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Ambasada e SHBA në Kosovë: Zgjedhjet në veri në përputhje me kërkesat kushtetuese të Kosovës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit janë mbajtur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Në një komunikatë, kjo ambasadë theksoi se mbështesin një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirës dhe multietnike në Kosovë.

Ambasada u shpreh se i vie keq që jo të gjitha partitë kanë shfrytëzuar të drejtën për të garuar.

“Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”- thuhet në komunikatë.

Ambasada e SHBA-së ka vlerësuar profesionalizimin e Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR-it gjatë ditës së zgjedhjeve.

“Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet.Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”- deklaroi ambasada.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para pak minutave ka shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve në katër komunat në veri.

KQZ shpall rezultatet preliminare për zgjedhjet në veri