BE pas zgjedhjeve në veri: Serbët të kthehen në institucione, Asociacioni të finalizohet sa më shpejtë

Bashkimi Evropian thotë se zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe janë zhvilluar në mënyrë të qetë.

Duke shprehur keqardhje që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje, BE thotë se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve tregon se ky proces nuk mund të konsiderohet si zakonisht.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje. Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk konsiderohet dhe nuk mund të konsiderohet si zakonisht”- thuhet në reagim.

BE thotë se pjesëmarrja në proceset zgjedhore ka për qëllim të sigurojë që zërat e komuniteteve do të dëgjohen, teksa shton se punë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejtë.

“Pjesëmarrja në proceset zgjedhore ka për qëllim të sigurojë që zërat e komuniteteve që përfaqësojnë liderët e zgjedhur do të dëgjohen.  Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor 2022, BE-ja ka qenë vazhdimisht e angazhuar me të dyja palët për të lehtësuar kthimin e tyre”- thotë BE.

“Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur” – theksohet tutje në reagimin e BE-së.

Sipas BE-së, është e domosdoshme që urgjentisht të rivendoset një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale.

“Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri. Deri më tani është bërë pak përparim. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin angazhimet e tyre”- shprehet Bashkimi Evropian.

“Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është platforma e duhur për të arritur këtë objektiv. BE-ja mirëpret profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të saj për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet”- thuhet mes tjerash në komunikatën e BE-së.

Dje, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit janë mbajtur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.

Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.