Putin: Rusia mund të zërë vendin e Ukrainës si furnizues i grurit për vendet e Afrikës

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënën se Rusia do të mbetet një “furnizues i përgjegjshëm” i ushqimit dhe drithërave për vendet afrikane dhe mund ta zërë vendin e Ukrainës si një furnizues ndërkombëtar i drithit, në vërejtjet e regjistruara në një samit të vendeve të BRICS në Afrikën e Jugut.

Ai tha gjithashtu se përdorimi i dollarëve amerikanë në tregtinë midis vendeve të BRICS po zvogëlohet, pasi vendet po lëvizin drejt monedhave kombëtare dhe po largohen nga dollarët në një “proces të pakthyeshëm de-dollarizimi”.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim:

Ukraina zyrtare thotë se trupat e saj kanë hyrë në fshatin e rëndësishëm strategjik juglindor të Robotyne, një progres potencialisht i rëndësishëm në kundërsulmin e saj kundër Rusisë. Hanna Maliar, zëvendësministrja e mbrojtjes e Ukrainës, tha se ushtarët ukrainas po organizonin evakuojnë e civilëve, por janë ende nën zjarr nga forcat ruse.

Një gazetar i shquar rus ka deklaruar të martën se gjenerali Sergei Surovikin, ish-komandant i përpjekjeve luftarake të Moskës në Ukrainë, është shkarkuar si kreu i forcave ruse të hapësirës ajrore. Nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar të raportit nga Alexei Venediktov, ish-udhëheqësi i lidhur mirë i stacionit radiofonik tashmë të zhdukur Ekho Moskvy, por ai u citua nga disa media të tjera ruse në mediat sociale, raportoi Reuters.

Tre persona janë vrarë dhe dy janë plagosur si rezultat i bombardimeve ruse të disa fshatrave në rajonin Donetsk të Ukrainës, ka thënë zyra e prokurorit të përgjithshëm. Sipas prokurorëve, të tre personat, dy gra dhe një burrë, u vranë në fshatin Torske mbrëmjen e së martës. Prokurorët nuk dhanë detaje të mëtejshme të sulmit.

Autoritetet ruse kanë thënë të martën se kanë shkatërruar dy anije ushtarake ukrainase në Detin e Zi. Ministria e Mbrojtjes e Moskës tha se një nga avionët e saj Sukhoi Su-30sm shkatërroi një “varkë zbulimi” ukrainase pranë objekteve të prodhimit të gazit rus. Më vonë ajo tha se shkatërroi gjithashtu një skaf të prodhuar në SHBA që transportonte trupa ukrainase në lindje të ishullit Snake, pa dhënë detaje të mëtejshme. /The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala