PSD bastisjet e sotme i quan përndjekje politike

Një nga personat që ka qenë sot cak i bastisjeve të krimeve ekonomike të Policisë së Kosovës është edhe Dren Kukaj nga Partia Social Demokrate.

Kukaj njëkohësisht është edhe ish-aksionar në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).

Ai në një konferencë për media ka thënë se sot Policia e Kosovës ka kontrolluar dy prona që lidhen me të, banesa e prindërve të tij dhe banesa në të cilën banon ai.

“Fillimisht ishin në shtëpinë e prindërve në të cilën tash e një kohë nuk jetoj, mirëpo prindërit nuk ishin aty, ishin në pushime, përkundër që ju thash se unë jetoj në tjetër banesë, më thanë jo nuk i kemi informatat aty, kanë hy në banesë dhe e kanë bastis” – ka thënë Kukaj.

Tutje ai ka pretenduar se është kontrolluar e gjithë banesa dhe krejt çka është marr nga PK janë dy kompjuterë.

“Janë marr dy kompjuterë që janë të nënës dhe babës dhe ma kanë sekuestruar telefonin tim”- ka thënë Kukaj.

Ai po ashtu ka shtuar se pas këtij kontrolli i ka ftuar zyrtarët e Policisë në banesën ku ai jeton për kontrolle.

“I kam ftu në banesën time ku jetoj dhe në prani të gruas dhe fëmijëve e kanë bastis të gjithë banesën dhe nuk kanë marrë asgjë” – shtoi Kukaj.

Ndër të tjera ai tha se gjatë kohës sa policët kanë qenë duke bastisur banesën ku ai jeton e ka kuptuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se ende pa përfunduar aksioni ka ai ka folur për rezultatin e një aksioni, pjesë të cilit Kukaj thotë se ishin edhe PSD.

Lidhur me rastin ka folur edhe Dardan Molliqaj kryetar i PSD-së tha se aksionin e policisë e ka quajtur përndjekje politike.

“Ajo që tash po e konstatoj është që kjo është plotësisht e qartë që është përndjekje politike dhe për këtë do të prezantojmë fakte. Përndjekja është dëshmi e qartë që në vend se të ndiqen krimet po ndiqemi ne që po bëjmë opozitë”- ka thënë Molliqaj.

Kryetari i PSD-së tutje thotë se gjatë një bastisje që ka ndodhur para një kohe janë vendosur edhe disa mjete për përgjim në mënyrë të jashtëligjshme

“Më 24 prill dy hetues të krimeve ekonomike vijnë në zyrën e PSD-së dhe e kërkojnë Drenin. Kërkojnë të futen në byfenë tonë dhe nuk kanë të drejtë. Policët për krime ekonomike e kanë intimidu një zyrtarë të PSD-së për 10 minuta”- ka thënë Molliqaj.

Aksioni ndaj ish-zyrtarëve të NPB-së nuk ishte i vetmi. Ministri Sveçla njoftoi gjatë ditës se nga PK janë duke u realizuar tri aksione të ndryshme.

Prokuroria jep detaje për bastisjet e sotme në lidhje me projektin 120 milionësh të NPB-së

Për këto bastije, Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë detaje duke treguar se bastisjet janë bazuar në urdhër kontrollin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kanë filluar sot në orët e hershme.

Sipas Prokurorisë janë kontrolluar 12 lokacione të ndryshme, me qëllim të sigurimit të provave.

“Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është realizuar në pronat e të dyshuarave H. H., V. M., D. K., L. M., XH. L., A. J., G. SH., B. P., A. M., B. B. dhe D. B.” – thuhet në njoftim.

Të njëjtit është thënë se në cilësinë e personave zyrtar, dyshohet se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhja e kontratës së dëmshme dhe mashtrimi.

Tutje është treguar se po ashtu ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdor detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon 120 milionë euro.

Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në dymbëdhjetë 12 lokacione të ndryshme u tha se janë sekuestruar prova materiale të cilat do të jenë të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Në cilësinë e provave u tregua se janë 17 dosje dhe dokumente që ndërlidhen me rastin, 6 laptop, 2 shtëpiza, 11 telefona, 2 sim card dhe 6 usb.

Projekti 120 milionësh, AKP dhe NPB fshehurazi tentuan t`i caktojnë kufijt e pronës