Projekti 120 milionësh, AKP dhe NPB fshehurazi tentuan t`i caktojnë kufijt e pronës

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), kanë tentuar në mënyrë të fshehtë që të bëjnë caktimin e kufirit të pronave të tyre, në lagjen ‘Lakërishte’ të Prishtinës.

Caktimi i kufirit të pronës ka pasur synim që t’i hapë rrugën projektit të dyshimtë të NPB-së në vlerë prej 120 milionë euro, për ndërtimin e një objekti shumëkatësh në ‘Lakërishte’.

Edhe pse kjo çështje është duke u hetuar nga Prokuroria dhe Ministria e Mjedisit e ka pezulluar projektin, për shkak të skandalit me mbetje të azbestit në lokacionin ku po synohet ndërtimi, NPB dhe AKP kanë tentuar që të vazhdojnë procedurat.

Kryeshefi i NPB-së Hajdar Hoxhaj dhe zv/drejtori menaxhues i AKP-së, Avni Jashari janë takuar ‘fshehtas’ në zyret e AKP-së më 14 dhjetor 2021. Për këtë takim nuk ka pasur kurrfarë njoftimi. AKP-ja thotë se nga takimi nuk është arritur ndonjë rezultat, e për këtë arsye nuk ka pasur një njoftim, sipas tyre.

“AKP dhe NPB kanë mbajtur takime të numërta që nga vjeshta 2020, lidhur me kërkesat e NPB-së. Takimi i fundit është mbajtur më 14 dhjetor 2021 ndërmjet tre përfaqësuesve të AKP dhe dy përfaqësuesve të NPB-së. Meqenëse nuk ka pasur asnjë rezultat konkret përfundimtar nga këto takime, atëherë nuk ka pasur nevojë për njoftim të publikut”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Në pyetjen se pse nuk është pritur verdikti përfundimtar i Prokurorisë për këtë çështje, AKP-ja është arsyetuar duke thënë se nuk ka asnjë kërkesë për të pezulluar ndonjë veprim.

“AKP nuk ka asnjë kërkesë nga organet e zbatimit të ligjit për të pezulluar ndonjë veprim të AKP-së lidhur me shqyrtimin e kërkesës së NPB-së. Hetimet e Policisë janë për veprimet e kaluara lidhur me këtë pronë dhe ne nuk kemi informata se ndërlidhen me veprimet në të ardhmen në të cilat as që janë ndërmarrë”.

Për momentin, sipas AKP-së, në lidhje me caktimin e kufirit të pronës në fjalë nuk ka asnjë vendim. Sipas tyre, për këtë çështje do të diskutohet në mbledhjen e Bordit, më 27 janar 2022.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë kryeshefin e NPB-së, Hajdar Hoxhën, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Për këtë çështje është deklaruar edhe udhëheqësi i Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci, i cili u pyet nga një gazetar, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, pasi ky i fundit vizitoi sot AKP-në.

Mikullovci tha se NPB-ja ka paraqitur një kërkesë, por që nuk është marrë asnjë vendim.

“Këta (NPB) kanë ardhë, është e vërtetë por ne nuk kemi marrë asnjë vendim dhe as nuk kemi marrë përgjigje, sepse kjo shkon me mbledhjen e parë të Bordit, e cila mbahet në këtë muaj. Do të shqyrtohet, do të njoftohen anëtarët e Bordit. Ne nuk kemi vlerësu që ka bo kurrfarë shkelje ushtruesi i detyrës, normale është me i pranu kur të vjen dikush”, tha ai.

Ndërsa kryeministri Kurti po ashtu tha se kjo çështje do të diskutohet në Bord, ndërsa ‘premtoi’ se Qeveria e tij nuk do të lejojë shkeljet ligjore.

“Ne si Qeveri do ta mbrojmë interesin publik. Shpresojmë që edhe Prokuroria ta kryejë punën e vet, mirëpo nuk do të ketë zhvillime të cilat do të vijnë në kundërshtim me ligjin, kushtetutën dhe me interesin publik”, tha Kurti.

Ndërmarrja Publike Banesore nuk e ka caktuar në mënyrë të rregullt mexhen me Agjencin Kosovare të Privatizimit për të saktësuar pronën në të cilën do të ndërtohet projekti i dyshimtë në vlerë 120 milionë euro.

Për shkak të dyshimeve për shkelje gjatë procedurave, AKP-ja ka nisur proces diciplinor ndaj një punëtori të saj për çështjen e ndarjes së pronës.

KALLXO.com ka gjetur se NPB-ja kishte shfrytëzuar një procesverbal të një zyrtari të AKP-së që ishte bërë pa pëlqimin dhe miratimin e Bordit të AKP-së dhe as të Njësisë së Kadastrit të AKP-së.

Më 4 nëntor 2021, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Lakërishte të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishte. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit.

Gjithashtu, në hulumtim tregohet për procedurat e dyshimta të përzgjedhjes së kompanive fituese, kufizimin e konkurencës, mungesën e transparencës si dhe shkaktimin e rrezikut ndaj banorëve për rreth tokës ku synohet ndërtimit i projektit, përmes ekspozimit ndaj materialeve me përmbajtje të azbestit.

 

Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës