Prokuroria jep detaje për bastisjet e sotme në lidhje me projektin 120 milionësh të NPB-së

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje për bastisjet që janë kryer gjatë ditës së sotme nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës.

Sipas Prokurorisë ekzistojnë dyshime të arsyeshme se është keqpërdorur detyra zyrtare nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon 120 milionë euro.

Këto bastisje u tha se janë bazuar në urdhër kontrollin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kanë filluar sot në orët e hershme.

Sipas Prokurorisë janë kontrolluar 12 lokacione të ndryshme, me qëllim të sigurimit të provave.

“Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është realizuar në pronat e të dyshuarave H. H., V. M., D. K., L. M., XH. L., A. J., G. SH., B. P., A. M., B. B, dhe D. B.” – thuhet në njoftim.

Të njëjtit është thënë se në cilësinë e personave zyrtar, dyshohet se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhja e kontratës së dëmshme dhe mashtrimi.

Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në dymbëdhjetë 12 lokacione të ndryshme u tha se janë sekuestruar prova materiale të cilat do të jenë të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Në cilësinë e provave u tregua se janë 17 dosje dhe dokumente që ndërlidhen me rastin, 6 laptopë, 2 shtëpiza, 11 telefona, 2 sim card dhe 6 usb.

Në anën tjetër, gjatë ditës pati edhe një konferencë për media nga ana e Partisë Social Demokrate lidhur me bastisjet e sotme.

Dren Kukaj nga kjo parti, së bashku me Genc Sherifin treguan se sot kanë qenë cak i bastisjeve të Policisë, përderisa të njëjtët së bashku me Dardan Molliqajn, aksionin në fjalë e cilësuan si përndjekje politike.

KALLXO.com kishte raportuar në 2022 se Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), kishin tentuar në mënyrë të fshehtë që të bëjnë caktimin e kufirit të pronave të tyre, në lagjen ‘Lakërishte’ të Prishtinës.

Caktimi i kufirit të pronës ka pasur synim që t’i hapë rrugën projektit të dyshimtë të NPB-së në vlerë prej 120 milionë euro, për ndërtimin e një objekti shumëkatësh në ‘Lakërishte’.

Edhe pse kjo çështje është duke u hetuar nga Prokuroria dhe Ministria e Mjedisit e ka pezulluar projektin, për shkak të skandalit me mbetje të azbestit në lokacionin ku po synohet ndërtimi, NPB dhe AKP kanë tentuar që të vazhdojnë procedurat.

E po ashtu edhe në 2021 ishte raportuar edhe për rebelimin e banorëve të “Lakrishtës”, kur në lagjen e tyre me shpejtësi dhe pa debat publik e panë të rrënohet një objekt me material asbesti, i cili vlerësohet të jetë kancerogjen.

Por, kjo nuk duket të ishte e vetmja gjë e kalbur në historinë e rrënimit dhe ndërtimit të kompleksit të ri banesor që planifikohet të bëhet aty nga Ndërmarrja Publike Banesore, NPB, e Komunës së Prishtinës.

Historia për të ndërtuar diçka të re në këtë pjese profitabile të Prishtinës nis me aksionarët e NPB-së, të cilët në fund të vitit të kaluar e ndërruan statutin e NPB-së dhe bënë rregullore të re, për t’i hapur rrugë këtij investimi. Pas ekspozimit të shkeljeve të bëra në këtë projekt dhe pezullimit të punës nga Ministria e Mjedisit, bordi i NPB-së mori vendim për të shkarkuar Hajdar Hoxhën, drejtorin e NPB-së.

Por, vendimi për shkarkim të kryeshefit nuk arriti të protokolohej për tri ditë. Kjo kohë u shfrytëzua nga aksionarët e NPB-së, Dren Kukaj, drejtor i mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës dhe Genc Sherifi, asamblisti i PSD-së, që të shkarkojnë bordin, duke e lënë në punë kryeshefin që të shtyjë përpara projektin ndërtimor, të cilin Ministria e Mjedisit e quan joligjor. Dy aksionarët e ndërmarrjes, të dy të lidhur me ish-partinë e Shpend Ahmetit, i kanë zëvendësuar katër anëtarët e shkarkuar të bordit me katër persona të tjerë, pa kurrfarë konkursi publik.

Krejt kjo ndodhi disa muaj para se Shpend Ahmeti, kryetari i Komunës, të dorëzojë mandatin si kryetar dhe të mos kthehet më pasi që nuk kandidon për mandat të ri. Hapja e udhës për këtë investim të kontestuar në tokën profitabile në qendër të Prishtinës në fund të mandadit të tij, ka hapur debat për parregullsi të shumta që kanë filluar të hetohen nga Policia e Kosovës.

Ky projekt është një prej investimeve më të mëdha ndërtimore që janë bërë në komunën e Prishtinës nga një investitor privat, i cili pritet të ketë një vlerë prej 120 milionë euro.

Projekti 120 milionësh, AKP dhe NPB fshehurazi tentuan t`i caktojnë kufijt e pronës