
Protestojnë ish-punëtorët e komunës paralele në Mitrovicën e Veriut, kërkojnë të kthehen në punë
Rreth 80 qytetarë të komunitetit serb kanë protestuar sot, më 02.09.2024, para objektit që ishte përdorur nga komuna paralele në Mitrovicën e Veriut.
Ata kanë kërkuar që të kthehen në vendet e punës.
Lajmin e konfirmuar zv, drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Sot kanë ardhur punëtorët që kanë punuar në strukturën paralele këtu në komunën paralele për me u paraqit në detyrë. Në mesin e tyre ka pasur edhe qytetarë të cilën janë bashkangjitur. Kanë qenë diku 70-80 persona. Protesta ka qenë… kanë tentu me hy brenda me punu, na i kemi tregu që kjo ndërtesë është duke u hetuar nga prokurori i prokurorisë në Mitrovicë”, tha ai për Kallxo.com.
“Një objekt i tillë është i bllokuar dhe as ne si polici nuk mund të hyjmë brenda. Kjo është sqaruar nga kolegët tonë që kanë qenë këtu”- tha ai.
Elshani potencoi se gjithçka ka shkuar qetë dhe pa incidente.
“Masat e sigurisë janë ndërmarrë në rast se ka nevojë për ndërhyrje të bëjmë një gjë të tillë, por nuk ka pasë nevojë. Gjithçka ka kaluar qetë”, deklaroi Elshani.
Ky rast, sipas tij, lidhet me falsifikim e dokumenteve.
“Rasti lidhet me falsikimin e dokumentacioneve edhe punës së strukturës paralele dhe është e ditur që është kjo ndërtesë është pronë e komunës të Mitrovicës i është dhënë në shfrytëzim ministrisë të infrastrukturës e që për qëllim e ka në fund me e hap qendrën regjionale për trajnim të patentë shoferëve”- tha Elshani.
Ai përfundoi se nuk është raportu për asnjë incident, çdo gjë ka qenë qetë, policët kanë qenë në numër të mjaftueshëm që të sigurohet qe kjo turmë të menaxhohet në rast se ka nevojë.
Zëdhënësja e NATO-s e zhgënjyer me aksionin e Policisë për mbylljen e komunave ilegale veri
Më 30.08.2024, janë mbyllur këto komuna paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.
Sipas njoftimit të Policisë, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.
“Po ashtu Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishekë me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 30.08.2024.
Ky aksion i Policisë ka nxitur reagimin e ambasadave të vendeve të QUINT-it dhe të BE-së, duke u cilësuar si veprim i pakoordinuar që mund të sjell tensionim të situatës në veri të Kosovës.