Protestë para Qeverisë për mos-devijim të autostradës Prishtinë - Pejë

Disa dhjetëra qytetarë kanë protestuar paraditen e së mërkures para objektit të Qeverisë në Prishtinë, me kërkesën që të mos devijohet aksi Kijev – Zahaq të magjistrales Prishtinë – Pejë.

Banorë të këtyre fshatrave kanë kërkuar nga Qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës që të mos devijojnë ndërtimin e magjistrales nga këto fshatra, pasi sipas tyre, ndikon në veprimtarinë e bizneseve që ndodhen në këtë aks rrugor.

Sheremet Pantina, përfaqësues i këtyre protestuesve për KALLXO.com ka thënë se kërkesa e banorëve është që të vazhdohet rruga ekzistuese.

“Ne jemi duke protestu për mosdevijimin e autostrades Kiev Zahaq, kemi ardhur sot këtu, tani vinë këta te na. Kërkesa jonë është mosdevijimi i rrugës, por rruga ekzistuese, vetem tek fshatra tona e kanë Deviju rrugën, janë 3 fshatra: Burim, Rigjev Gllarev. Nëse nuk merren parasysh tani marrim masa të tjera e bllokojmë rrugën tani krejtë. Ne duam takim më kryeministrin Albin Kurti, në 12:15 na thanë që munden me u taku” – ka thënë ai.

Ndërkaq në njërën prej kërkesave që protestuesit mbanin në duar shkruante se bizneseve që gjenden në atë anë iu bie puna për rreth 50%, nëse devijohet rruga.

“Ne si biznes na bie vlera për 50% të punës që kemi, po ashtu e kemi trashëgimi nga prindërit që do të thotë nuk kemi dështirë të na bie vlera, se në rast që devijon rruga puna ndërprehet përgjysmë dhe ne si vepritmari kryesore e kemi këtë se punojmë që 30 vite këtë veprimtari” – shkruante ndër të tjera në kërkesat e protestuesve.

Në mars të këtij viti KALLXO.com kishte raportuar se si banorët dhe pronarët e bizneseve të fshatrave Gllarevë, Stapanicë dhe Rixhevë, kanë pakënaqësi lidhur me devijimin e trasesë së rrugës që kalon në atë zonë.

Sipas banorëve, problematikë për ta po del të jetë një vendim të cilin e ka aprovuar Qeveria e Kosovës për kërkesën për shqyrtim te mëtejmë të kërkesës për vazhdimin e shpronësimit të pronave për nevoja të realizimit të tërësishëm të rrugës nacionale Kijevë-Zahaq, përkatësisht segmentit Kijevë-Dollc.

Banorët e tri fshatrave nga dy komuna nuk duan devijim të trasesë së rrugës – VIDEO