Foto: KALLXO.com

Banorët e tri fshatrave nga dy komuna nuk duan devijim të trasesë së rrugës - VIDEO

Banorët dhe pronarët e bizneseve të fshatrave Gllarevë, Stapanicë dhe Rixhevë, kanë pakënaqësi lidhur me devijimin e trasesë së rrugës që kalon në atë zonë.

Sipas banorëve, problematikë për ta po del të jetë një vendim të cilin e ka aprovuar Qeveria e Kosovës për kërkesën për shqyrtim te mëtejmë të kërkesës për vazhdimin e shpronësimit të pronave për nevoja të realizimit të tërësishëm të rrugës nacionale Kijevë-Zahaq, përkatësisht segmentit Kijevë-Dollc.

Sipas tyre, ky projekt parasheh që në segmentin Kijevë-Dollc ku shtrihen fshatrat Kijevë, Burim (Stapanicë) të komunës së Malishevës dhe fshatrat Rixhevë dhe Gllarevë të Komunës së Klinës,  të bëhet një devijim i tërësishëm nga rruga ekzistuese dhe me këtë edhe anashkalohet në tërësi në anën e djathtë qe nga dalja e nënkalimit e tutje nga këta fshatra.

Kësisoj, banorët e këtyre fshatrave si dhe pronarët e bizneseve që shtrihen përballë rrugës ekzistuese që nga fillimi i fshatit Kijevë e tutje, po e kundërshtojnë një plan të tillë.

Për këtë ata kanë thënë se i janë drejtuar me një kërkesë edhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në arsyetimin e kësaj kërkese banorët kanë përmendur se nëpër këto fshatra operojnë biznese të ndryshme duke filluar nga fabrikat për përpunimin e gurit, shitjen e produkteve nga guri, markete ushqimore, kompani të vogla që merren me riparimin e veturave, pompa të benzinës dhe naftës, restorante e shumë biznese që merren me veprimtari të ndryshme, dhe me këtë rast ata thonë se veprimtaria e bizneseve që operojnë këto fshatra varet nga kalimtarët e rastit përkatësisht nga kalimtarët që e përshkojnë rrugën ekzistuese Prishtinë – Pejë.

FOTO: Kërkesa e bërë nga banorët dhe bizneset e fshatrave Kijevë dhe Burim (Stapanicë) të komunës së Malishevës dhe nga banorët dhe bizneset e fshatrave Rixhevë dhe Gllarevë të Komunës së Klinës.

Për këtë gjë ata edhe kanë mbajtur një protestë këtë të martë në Gllarevë.

Ndërkaq, Asllan Haxhaj, përfaqësues në nivel bashkësie lokale i tri fshatrave, ka thënë të mërkurën për KALLXO.com se protestat do të vazhdojnë nëse kërkesa e tyre has në vesh të shurdhër.

“Kemi pasur të martën protestë për kërkesën e banorëve në nivel të bashkësisë lokale që asfalti të mos vijë nëpër ara të punuara. Kemi bërë kërkesë edhe në Ministri, kemi biseduar me datën 22 mars, përgjigja nuk na është kthyer. Përgjigje me gojë kemi marrë, por me shkrim jo” – ka thënë Haxhaj për KALLXO.com

Asllan Haxhaj përfaqësues në nivel bashkësie lokale i tri fshatrave. FOTO: KALLXO.com

Isuf Mehmetaj, banor i fshatit Gllarevë  është në mesin e banorëve që shprehet se ky plan do t’i sjellë probleme pasi që, sipas tij, bizenset mund të rrezikojnë të shuhen.

Sipas tij, ky projekt do t’iu sjellë telashe edhe banorëve që presin për t’i marrë fëmijët e tyre kur ata dalin nga autobusi.

“Ne në vend se me dalë për shembull për Pejë ose për Prishtinë me prit këtu në stacionduhet me dal atje më larg. Ose fëmija nesër kur janë, një student ose studente, natën duhet me shku në Gjurgjevik mi prit se nuk lëshohet këtu” – është shprehur Mehmetaj.

Isuf Mehmetaj banor i fshatit Gllarevë. FOTO: KALLXO.com

Ankesa kanë edhe pronarët e bizneseve, sipas të cilëve devijimi trasesë do t’iu sjellë telashe.

 “E kemi rastin me këtë rrugë që po na devijojnë, Nëse shkon rruga andej, së pari prish ara të bukës. E dyta, ne jemi 30 biznese apo më tepër prej atje ku ka devijuar rruga e deri ku ka me hy në rrugë të përgjithshme, kështu që atë ditë që shkon kjo rrugë andej, unë si vet i 22-ti anëtar në familje duhet t’i marrë rrugët e mërgimit” – ka thënë për KALLXO.com Binak Pantina, pronar i një biznesi në Gllarevë.

Binak Pantina, pronar i një biznesi në Gllarevë. FOTO: KALLXO.com

KALLXO.com ka kontaktuar edhe drejtorinë e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Klinë, mirëpo nga kjo drejtori kanë thënë se komuna është jashtë rrjedhave të këtij projekti ngaqë ky projekt është i Ministrisë së  Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Komuna e Klinës është jashtë rrjedhave të këtij projekti sepse është projekt i Ministrisë dhe edhe inicimin edh menaxhimin edhe përcjelljen e punimeve edhe shpronësimin, të gjitha i ka për obligim Ministria t’i marrë dhe t’i njoftoj qytetarët rreth këtij projekti”- ka thënë Enver Berisha, Drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Klinë.

Enver Berisha, Drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Klinë. FOTO: KALLXO.com

Mirëpo, nga informacionet jo zyrtare, drejtori ka thënë se kjo rrugë ka gjasa që të bëhet me katër korsi.

“Përmes informacionit jo zyrtar po flas se nuk më ka ardhur ndonjë dokument zyrtar, e dimë se (rruga) vazhdon me katër korsi, do të jetë rruga e cila e lidh Kijevën me  Pejën, gjegjësisht është pjesa jonë deri në Zahaq, dhe unë mendoj që do të jetë një projekt i mirëseardhur, një projekt që do të ketë zhvillim. Mirëpo, unë pajtohem me qytetarët që kanë protestuar sepse në qoftë se e devijon rrugën aktuale ose bën një trase tjetër ata do t’i nxjerrë nga biznesi i tyre, do t’iu krijojë edhe vështirësi në biznes”- ka shtuar Berisha.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por deri tani kjo ministri nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.