Propozohen 5 emra për bord drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale

Pesë emra për bord drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale i janë dërguar për aprovim Kuvendit të Kosovës.

Emanuel Bajra – kryesues, Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Cyril Demaria – Bengochea dhe Trim Shala – anëtarë, janë emrat që janë përzgjedhur unianimisht nga Komisioni, për bord drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale.

Komisioni përzgjedhës ka qenë i përbërë nga Bashkim Nurboja, guvernator i Përkohshëm i BQK-së, Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Vlora Spanca, auditore e përgjithshme.

Përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë të bordit drejtues të FKPK-së është mbështetur nga projekti i asistencës teknike të Ambasadës Britanike për rekrutimet në pozitat e larta publike në Kosovës.

“Komisioni duke vlerësuar mjaft lart emërimin e anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, i rekomandon Kuvendit të Kosovës që të aprovojë këtë propozim” – thuhet në vendimin e Komisionit.

Tre muaj, Fondi i Kursimeve Pensionale ka qenë i bllokuar në mungesë të bordit.

Mandati i bordit drejtues paraprak ka mbaruar më datën 28 shkurt 2023.

Për këta anëtarë janë hapur dy konkurse dhe i fundit ka zgjatur deri më 5 maj.