Flamuri i Kosovës në ndërtesën e Qeverisë, Foto: Atdhe Mulla

Ekspertët e Fondit Sovran i reagojnë deputetit Avdullah Hoti

Grupi punues dhe ekspertët ligjorë të Fondit Sovran të Republikës së Kosovës (FSRK) i kanë reaguar deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hotit, i cili ditë më parë ka thënë se Fondi dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrjet publike dhe buxhetin e shtetit.

Hoti pati shkruar në Facebook se Ligji për Fondin Sovran dhe koncept-dokumenti përkatës kanë për bazë ideologjinë ekonomike që është e kundërt me liberalizmin ekonomik.

Mirëpo në emër të grupit punues dhe grupit të ekspertëve ligjorë të FRSK-së kanë reaguar Besnik Pula, profesor dhe ekspert i ekonomisë politike dhe eksperti bankar, Emanuel Bajra.

Në reagimin e tyre ata kanë thënë se përshëndesin avancimin e diskursit të deputetit Hoti në raport me FSRK-në.

“Kujtojmë që më parë, ai, konceptin e FSRK-së si institucion financiar, e kishte denoncuar si një “projekt komunist”. Diskursi i z. Hotit ka avancuar, por jo aq sa që për FSRK-në të bëhet një diskutim i nivelit ekspert. Kjo është fatkeqësi, meqenëse deputetit nuk i mungojnë përgatitja dhe kualifikimet për një diskutim të tillë. Megjithatë, ai duket se nuk heqë dorë nga tentativa që FSRK-në ta denoncojë në baza ideologjike”- thuhet në reagim.

Sipas tyre, tani deputeti Hoti mjaftohet me akuzën se FSRK-ja ka “për bazë ideologjinë ekonomike që është e kundërt me liberalizmin ekonomik”.

“Është vështirë t’i përgjigjemi z. Hotit në këtë nivel. Nuk e dijmë se në çfarë forme deputeti Hoti e përdorë termin liberalizëm ekonomik. Në të njëjtin reagim, ai angazhohet për “parimet e ekonomisë sociale tregut”. Për shumicën e intelektualëve e ekonomistëve, liberalizmi ekonomik dhe ekonomia sociale e tregut përfaqësojnë dy koncepte të ndryshme”- thuhet tutje në reagim.

Ndër të tjera, në reagimin e tyre ata kanë bërë të ditur se vetë deputeti Hoti, por edhe partia e tij, nuk kanë dashur të marrin pjesë në diskutimet për Ligjin për Fondin Sovran.

“Për fund, për hir të transparencës e përgjegjësisë publike, duhet të theksojmë se z. Hoti dhe përfaqësuesve të partisë së tij u janë bërë, me ndërmjetësimin e donatorëve, disa herë ftesa për të diskutuar projektin e FSRK-së dhe për të adresuar çdo paqartësi e rezervë bashkë me grupin e ekspertëve. Partia e z. Hoti ka refuzuar çdo takim. Kritikat e z. Hoti janë, prandaj, jo vetëm të pabaza, por tashmë edhe të vona”- thuhet në reagim.

Më 25 nëntor, në  Facebook, deputeti Avdullah Hoti ka shkruar se Fondi Sovran dëmton konkurrencën, investimet private, ndërmarrjet publike dhe buxhetin e shtetit.

Reagimi i Plotë:

Reagim publik ndaj komenteve të deputetit Avdullah Hoti për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës [linku në koment]
Para disa ditësh, në një postim në rrjetin Facebook të ribotuar në një numër mediumesh, deputeti nga radhet e LDK-së, Avdullah Hoti ka ngritur një numër kritikash ndaj projektligjit për Fondit Sovran të Republikës së Kosovës (FSRK). Si autorë të Koncept Dokumentit për FSRK-në dhe pjësëmarrës ekspertë në dezajnimin e projektligjit për FSRK-në, e ndjemë si obligim dhe përgjegjësi publike që të reagojmë ndaj pohimeve që deputeti Hoti i ka bërë ndaj projektit të FSRK-së, Koncept Dokumentit dhe projektligjit.
Për fillim, e përshëndesim avancimin e diskursit të deputetit Hoti në raport me FSRK-në. Kujtojmë që më parë, ai, konceptin e FSRK-së si institucion financiar, e kishte denoncuar si një “projekt komunist”. Diskursi i z. Hotit ka avancuar, por jo aq sa që për FSRK-në të bëhet një diskutim i nivelit ekspert. Kjo është fatkeqësi, meqenëse deputetit nuk i mungojnë përgatitja dhe kualifikimet për një diskutim të tillë. Megjithatë, ai duket se nuk heqë dorë nga tentativa që FSRK-në ta denoncojë në baza ideologjike. Tani, ai mjaftohet me akuzën se FSRK-ja ka “për bazë ideologjinë ekonomike që është e kundërt me liberalizmin ekonomik”.
Është vështirë t’i përgjigjemi z. Hotit në këtë nivel. Nuk e dijmë se në çfarë forme deputeti Hoti e përdorë termin liberalizëm ekonomik. Në të njëjtin reagim, ai angazhohet për “parimet e ekonomisë sociale tregut”. Për shumicën e intelektualëve e ekonomistëve, liberalizmi ekonomik dhe ekonomia sociale e tregut përfaqësojnë dy koncepte të ndryshme. Ekonomia sociale e tregut për shumëkë bazohet në instrumente anti-treg, siç janë politikat e mbrojtjes sociale (p.sh., ekzistimi i një sistemi pensional, apo i asistencës sociale) dhe i tregjeve të rregulluara. Ato politika janë të kundërta ndaj qasjes fundamentaliste në liberalizmin ekonomik, i cili nuk toleron mekanizma publik të rishpërndarjes dhe rregullimit të tregjeve. Meqenëse deputeti Hoti përdorë në të njëjtën shprehje koncepte që mbajnë kuptime të ndryshme e të shumëfishta, e kemi të vështirë ta pozicionojmë këndin e kritikës së tij “ideologjike” ndaj FSRK-së.
Po mjaftohemi me faktet në vijim. Sipas organizatës ndërkombëtare Global Sovereign Wealth Funds (globalswf.com), fondet sovrane sot menaxhojnë mbi 11 trilionë dollarë investime. Fondet sovrane kanë prani në të gjitha kontinentet. Institucione të tilla posedojnë vendet e zhvilluara si Austria, Irlanda, Korea e Jugut, Turqia, Singapuri e Sllovenia, e vende në zhvillim si Etiopia e Botsuana. Fondet sovrane figurojnë pranë qeverive e pushteteve të të gjitha ngjyrave, llojeve, e kategorive, demokratike e jo-demokratike, liberale e jo-liberale, më shumë e më pak të pasura, me e pa burime natyrore, me një gjeografi që vijon rreth globit nga Zelanda e Re deri te Panamaja. Kjo vetëm vërteton faktin se në botën e sotme, fondet sovrane janë instrumente normale për arritjen e synimeve nacionale ekonomike, financiare e zhvillimore. Si institucione e instrumente, fondet sovrane sot janë të barazvlefshme me bankat qëndrore, fondet pensionale dhe ministritë e financave. Të akuzohet një projekt për një fond sovran si ideologjik, është sikur të akuzohet si ideologjike fakti që Kosova ka një bankë qëndrore ose ministri të financave. Ky është pra, një argument absurd, për motivet dhe qëllimet e së cilës mundemi vetëm të spekulojmë. Sidoqoftë, nuk e shohim të arsyeshme të merremi më tepër me këtë linjë të kritikës.
Nga aspekti teknik, boshti i kritikës së z. Hoti gjendet në pohimin që “të gjitha analizat vlerësojnë se do të dëmtohet konkurrenca e lirë e do të krijohet pasiguri për buxhetin e shtetit”. Së pari, ne nuk e dijmë në çfarë analiza aludon z. Hoti. Analizat tona kanë dëshmuar të kundërtën, ashtu siç dëshmojnë studimet e shumta ndërkombëtare që janë bërë mbi efektet e fondeve sovrane në vendet që kanë adoptuar institucione të tilla. Mënyra e ndërtimit të FSRK-së, në asnjë rast nuk prek konkurrencën, në asnjë treg ekzistues të produkteve e shërbimeve. Një lexim i kujdesshëm i Koncept Dokumentit dhe i projektligjit konfirmon se aktiviteti i FSRK-së është i kufizuar ekskluzivisht në aktivitete financiare. FSRK nuk është dezajnuar të jetë operator ekonomik në asnjë fushë. Si i tillë, ai nuk do të gëzojë instrumente që do të cënojnë asnjë prej tregjeve të produkteve dhe shërbimeve, qofshin ato të rregulluara (sikur i energjisë dhe telekomit) apo të parregulluara, qofshin ato të dominuara nga operatorë privatë apo publikë. FSRK komplementon, dhe kompleton, arkitekturën ekzistuese institucionale ekonomike në Kosovë. Mbi të gjitha, FSRK hedh bazat për krijimin e tregut të kapitalit, një boshllëk tashmë dekadësh institucional në Kosovë.
Z. Hoti shpreh frikë se përzgjedhja e “Kampionëve Nacionalë”, e paraparë si pjesë e projektligjit të FSRK, hapë derën për ndërhyrje të Qeverisë në ekonomi. Sipas tij, përmes përzgjedhjes së “Kampionëve Nacionalë”, Qeveria zgjedh se cilat ndërmarrje private përfitojnë nga investimet e FSRK. Ky është një argument tjetër i pabazë. Kriteret për përzgjedhjen e Sipërmarrjeve kampione (siç quhen në projektligj) janë të caktuara qartë në Koncept Dokument dhe nenin 32 të projektligjit për FSRK-në. Ato kritere janë eksplicite, rigoroze dhe lidhen me njësi të matshme. Kërkesat për këtë status inicohen nga vetë kompanitë, sipas procedurës publike, dhe jo nga Qeveria sipas diskresionit të saj. Çertifikimim e kampionëve nuk e bën Qeveria, por agjencia relevante për përkrahjen e eksporteve. Përmes këtij mekanizmi, FSRK ka mundësi të investojë, si partner minor (dhe asnjëherë si krye-aksionarë) në ndërmarrjet e suksesshme të sektorit privat. Përveç se të sigurojë kapitalin e nevojshëm për ngritjen e konkurrueshmërisë ndërkombëtare, FSRK është menduar t’i asistojë kompanitë private që të ngrisin kapacitetet eksportuese të vendit. Përmes këtij mekanizmi, FSRK ndikon në përmirësimin e bilansit aktual tregtar, jashtëzakonisht të pavolitshëm, si dhe siguron rritje të punësimit të qëndrueshëm, e të avancimit të bazës teknologjike të vendit. Kjo komponentë e FSRK-së dhe metoda e paraparë e zbatimit të tij është vlerësuar pozitivisht nga ekspertë ndërkombëtarë.
Z. Hoti ngreh dyshimin se FSRK i mundëson Qeverisë kontrollin mbi ndërmarrjet publike. Është absurde të thuhet se FSRK është “hap mbrapa” në raport me ndërmarrjet publike, relativ me gjendjen aktuale të këtij sektori. Është pikërisht kuadri aktual ligjor që i mundëson Qeverisë kontroll mbi NP-të. Kjo mundësohet përmes kontrollit të bordeve dhe tendencës së emërtimit të bordeve politike e profesionalisht të pakualifikuara, që NP-të i kthejnë në çerdhe të patronazhit politik. Kjo është strategji që për z. Hoti duhet të jetë e njohur nga koha kur ai dhe partia e tij kanë qenë në pushtet. Është pikërisht shmangia e kësaj tendence, që FSRK ndërtohet për të shkëputur NP-të që kanë karakter komercial e orientim nga tregu, nga kontrolli qeveritar. Koncepti i FSRK në raport me menaxhimin e NP-ve është në pajtim të plotë me standardet e OECD-së për qeverisjen korporative të sektorit shtetëror (https://www.oecd.org/corporate/soes). FSRK sjell një reformë përmbajtësore dhe një përmirësim radikal në formën e menaxhimit të NP-ve në Kosovë.
NP-të, nën mbikëqyrjen financiare të FSRK-së, i nënshtrohen menaxhimit profesional, me strategji të qëndrueshme investive e financiare, me njësi të matshme të performancës. Kryesoret nga këto do të jenë cilësia e produkteve e shërbimeve që ofrojnë NP-të, dhe e profitabilitetit të qëndrueshëm të tyre. FSRK është i dezajnuar të jetë entitet i vetë-qëndrueshëm financiar. Ai nuk do të funksionojë si njësi buxhetore e shtetit. Andaj, argumenti se FSRK paraqet rrezik për buxhetin është gjithashtu i paqenë. Jetësimi i FSRK-së, përveç se ia mbyll shtetit të Kosovës vrimat e humbjeve financiare që për vite të tëra kanë qenë NP-të e keqmenaxhuara e pafundësisht të subvencionuara, kthen vendin në përfitues të suficiteve fiskale. Përmes Fondit Rezervë të paraparë në kuadër të FSRK-së, Kosovës i ruhet siguria fiskale. Mbrojtja e aseteve publike dhe transferi ndërbrezor i pasurisë janë funksioni primar i çdo fondi sovran. Ky, pra, do të jetë mandati themelor i FSRK-së si institucion financiar i republikës.
Sa i përket qeverisjes së FSRK-së, ushtrimi i funksionit të aksionarit nga Kuvendi (e jo nga Qeveria) është paraparë pikërisht për të shmangur kontrollin qeveritar mbi FSRK-në. Me vendosjen e mbikëqyrjes së FSRK-së te Kuvendi, ne kemi paraparë përfshirjen direkte të opozitës në mbikëqyrjen e FSRK. Projektligji i jep të drejtë direkte opozitës për qasje në pasqyrat financiare të Fondit. Habitemi që z. Hoti si deputet i opozitës nuk e çmon këtë fakt. Në vend të kësaj, ai thotë se mbikëqyrja e Fondit nga Kuvendi është instrument për kapjen e tij. Përkundrazi! FSRK nuk është institucion i dezajnuar për një mandat qeveritar, por për avancimin e interesave kombëtare ekonomike. Duke qenë kështu, ne kemi paraparë në projektligj mekanizma mbikëqyres që i japin opozitës qasje të plotë mbi informacionet më relevante për aktivitetet e FSRK-së dhe në procesin e emërimit të trupit drejtues të tij. Pushtetet dhe opozitat ndryshojnë, por FSRK është dezajnuar të jetë institucion i përhershëm shtetëror. Edhe në këtë pikë, dezajni që ne kemi propozuar për FSRK-në është vlerësuar pozitivisht nga ekspertë ndërkombëtarë, në raport me standardet e qeverisjes së mirë, në kontekstin e një vendi demokratik.
Për fund, për hir të transparëncës e përgjegjësisë publike, duhet të theksojmë se z. Hoti dhe përfaqësuesve të partisë së tij u janë bërë, me ndërmjetësimin e donatorëve, disa herë ftesa për të diskutuar projektin e FSRK-së dhe për të adresuar çdo paqartësi e rezervë bashkë me grupin e ekspertëve. Partia e z. Hoti ka refuzuar çdo takim. Kritikat e z. Hoti janë, prandaj, jo vetëm të pabaza, por tashmë edhe të vona.
Ne emër të Grupit Punues dhe Grupit të ekspertëve ligjorë të FSRK,
Dr. Besnik Pula, profesor dhe ekspert i i ekonomisë politike
Emanuel Bajra, financier dhe ekspert bankar