Banka Qendrore e Kosovës

BQK kritikohet për mungesë të mbikëqyrjes së bankave 

Të enjten, më 23 mars, në emisionin “Kallxo Përnime” u zhvillua debat lidhur me Bankën Qendrore të Kosovës, BQK, e cila u kritikua për mungesë të mbikëqyrjes së mjaftueshme të bankave si dhe për punësime partiake e familjare.

Tema fillestare që u diskutua është zgjedhja e guvernatorit të ri pasi që Fehmi Mehmetit, guvernatorit të tanishëm, i mbaron mandati më 29 mars.

BQK hapi konkurs publik më 18 nëntor 2022. Për pozitën e të parit të këtij institucioni aplikuan 17 kandidatë. Më 26 janar 2022 u publikuan rezultatet e kandidatëve për guvernator.

Sipas ekspertëve britanikë, një grua ka dalë kandidatja më e poentuar në garën për guvernator të BQK-së.

Kompania rekrutuese britanike, që ka marrëveshje me Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës për të promovuar meritokracinë, ka publikuar rezultatet pas përfundimit të të gjitha fazave të këtij procesi të rekrutimit.

Kandidatja më e poentuar është Shkëndije Himaj me 32 pikë nga 40 pikë sa ishte maksimumi.

Më parë, nën udhëheqjen e Fehmi Mehmetit guvernator, BQK e kishte larguar nga puna Shkëndije Himaj Zekajn, e cila kishte qenë kundërkandidate e Mehmetit për pozitën e guvernatorit më 2018. Pozita e saj e fundit ishte këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv për sektorin financiar në BQK.

Ajo është larguar nga puna përkundër faktit që nuk është intervistuar/dëgjuar fare nga Komisioni Disiplinor. Përveç kësaj, Himaj-Zekaj është larguar nga puna, në ditën që i ka përfunduar pushimi mjekësor i marrë 1 muaj më parë.

Në fund të shkurtit në Komisionin parlamentar për buxhet, punë dhe transfere është diskutuar për listën e ngushtë të kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, ku i ftuar ishte komisioni vlerësues nga bordi i BQK-së.

Përderisa komisioni vlerësues britanik kishte zgjedhur Himaj-Zekajn të parën, komisioni vendor i BQK-së e kishte radhitur të katërtën. Kandidati i cili nuk ishte futur në listën përfundimtare të Parlamentit ishte guvernatori aktual, Fehmi Mehmeti.

“Vetëvendosje nuk do të interferojë në pavarësinë e Bankës Qendrore”

Visar Korenica, deputet i Vetëvendosjes, njëherësh edhe pjesë e Komisionit për buxhet, punë dhe transfere, ka thënë se komisioni për vlerësimin e kandidatëve për guvernator të BQK-së e ka dërguar listën në Qeveri për miratim.

Korenica në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka folur edhe për mbledhjen e fundit të komisionit në të cilin bën pjesë ai, që ka kërkuar përgjigje shtesë rreth kandidatëve për guvernator të BQK-së.

“Kemi kërkuar për secilin kandidat (arsyetim) se pse është ai person adekuat për me udhëheq me BQK-në” – ka thënë Korenica.

Korenica ka shtuar se këto informacione u janë sjellë në Komision dhe se konflikti i vetëm ka qenë mes pozitës 4 dhe 5, që është kandidatja Shkëndije Himaj dhe guvernatori aktual, Fehmi Mehmeti.

“Në të njëjtin proces zgjedhor kemi pasur dy komisione vlerësuese, njëri vendor e tjetri britanik, në të dyja rastet Fehmi Mehmeti nuk ka dalë mirë në kuptimin e poentimit” – ka thënë Korenica.

Visar Korenica edhe atëherë kishte reaguar duke e quajtur shqetësues faktin që Komisioni Disiplinor i BQK-së nuk e ka dëgjuar Shkëndije Himaj-Zekajn para përjashtimit.

“I kemi marrë disa e-maila që na janë përcjellë për këtë rast. Kemi pa se çfarë është vepru dhe konsideroj që pjesa e Komisionit Disiplinor, pra që nuk është mbajtur asnjë takim/mbledhje për rastin, mendoj që këtu ka pasë shkelje të rregullave të brendshme të BQK-së dhe në të njëjtën kohë i është pamundësuar vlerësimi real për punën që ajo e ka bërë brenda BQK-së” – kishte thënë ai për KALLXO.com

Për largimin e Himaj-Zekajt nga puna kishte reaguar edhe Sindikata e BQK-së, duke konkluduar se kishin vërejtur shkelje gjatë këtij procesi.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të BQK-së, Muhamed Koliqi, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kanë vërejtur shkelje gjatë procesit ndaj Shkëndije Himaj-Zekajt.

Ai ka theksuar se vazhdimisht kanë reaguar ndaj guvernatorit Fehmi Mehmeti por që i njëjti nuk ka kthyer përgjigje. Reagime, Koliqi thotë së kanë drejtuar edhe te bordi i BQK-së por që as nga ata nuk kanë marrë përgjigje.

“Për rastin e znj. Himaj, Kryesia e SPBQK-së ka vërejtur shkelje dhe si rrjedhojë në vazhdimësi ka reaguar lidhur me veprimet e guvernatorit ndaj znj. Shkendije Himaj. Reagimet fillimisht janë drejtuar te guvernatori dhe duke mos marrë përgjigje nga guvernatori, reagimi është drejtuar edhe te bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), mirëpo as nga këta të fundit asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje” – tha Koliqi.

‘Në Kosovë është ‘problem’ që një grua të udhëheqë me BQK-në’

Duda Balje, deputete, njëherësh edhe pjesë e Komisionit për buxhet, punë dhe transfere, ka thënë se nuk ka institucion në Kosovë që, sipas saj, nuk është i ndikuar nga politika.

Në emisionin “Kallxo Përnime’, Duda Balje ka thënë se në mbledhjen e parë të Komisionit nuk kanë pasur asnjë informacion lidhur me ecurinë e BQK-së.

“Na i kanë pru dy lista, këta të huajt kanë vlerësuar kështu, na kemi vlerësuar kështu, na e kemi ditë që të huajt janë organ monitorues. Organi monitorues ka vlerësuar një grua të vijë në krye të BQK-së, organi vendor me notat më të ulëta, shumë dallim. Kur kemi pa listën, kur kemi parë notat e të dyja komisioneve, menjëherë e kemi ditur që diçka s’është në rregull” – ka thënë Balje.

Ajo ka shtuar se veç për shkak se një grua është ranguar më së larti për guvernatore, është krijuar problem i paqenë.

“Po të ishte burrë nuk do të ishte bërë kaq shumë problem, edhe na veç për gruan po kemi problem. Ngase e konsiderojnë ‘ofendim’ një pozitë e tillë tek ne të udhëhiqet nga një grua” – ka shtuar më tej Balje.

Ferat Shala, deputet nga radhët e PDK-së, ka thënë se nuk ka kurrfarë tendence për diskriminim në bazë gjinore në Komisionin në të cilin bën pjesë.

“Kuota ka ardhur shumë më herët, konsideroj se shumë gra, kanë arritur kredibilitet dhe nuk kanë nevojë për kuotë” – ka thënë Shala.

Emanuel Bajra, ekspert finanicar nga Londra, i cili për 16 vite radhazi është i angazhuar në sistemin bankar të Britanisë së Madhe, ka konkurruar për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, por i cili është diskualifikuar ngase nostrifikimi i diplomës së tij ka ardhur dy ditë pasi që është mbyllur konkursi për guvernator dhe BQK nuk ka dashur të marrë këtë parasysh.

Sidoqoftë, Bajra ka shkuar tutje dhe ka treguar që tash e ka mbyllur atë kapitull dhe mendon që në krye të BQK-së do të ishte shumë më mirë sikur të vinte një grua.

“Nëse e shikojmë te statistikat e Bankës Qendrore ose çfarëdo lloj organizmi financiar e komercial, kurrë nuk është e kategorizuar pjesëmarrja e grave në financa. Në Britani të Madhe stimulohet pjesëmarrja e grave në spektrin industrial të ekonomisë” – ka thënë Bajra.

Ai ka shtuar se imputin që e merr Kosova nga gratë është shumë më i thekshëm sesa nga ajo që e merr nga burrat.

“Gjithmonë kam qenë një lobues për të pasur një guvernatore grua. Unë besoj në këtë dhe e shoh potencialin” – ka thënë Bajra.

Në fund të janarit ishin publikuar rezultatet e kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.

Ndryshe në fund të janarit ishin publikuar rezultatet e kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.

Monitoruesit nga Britania e Madhe kanë publikuar rezultatet pas përfundimit të të gjitha fazave të këtij procesi të rekrutimit.

Kandidatja më e poentuar është Shkëndije Himaj-Zekaj me 32 pikë nga 40 pikë që ishte maksimumi.

Diskriminimi i diasporës në Kosovë, shkaku: nënshtetësia

Emanuel Bajra, eksperti financiar nga diaspora, e ngriti edhe problemin e diskriminimit që po përjeton diaspora kur po shpreh dëshirën për t’u kthyer në Kosovë.

Bajra ishte diskriminuar pasi nuk e kishte pasur diplomën të nostrifikuar ndërsa komisioni i BQK-së nuk kishte pranuar të marrë këtë dokument 2 ditë pasi që kishte kaluar këtë proces në Ministrinë e Arsimit.

Në rastin tjetër, për të cilin kishte raportuar Kallxo.com, Adhurim Haxhimusa, ekspert energjetik kishte konkurruar për t’u bërë anëtar i bordit të Zyrës së Regullatorit të Energjisë dhe ishte refuzuar nga Minsitria e Ekonomisë në bazë të faktit që nuk kishte nënshtetësi të Kosovës, por vetëm të Austrisë (Austria i obligon shtetasit e vendeve tjera të dorëzojnë shtetësinë tjetër në rast që aplikojnë për shtetësi të Austrisë).

Qeveria e Vetëvendosjes kishte proklamuar se do të përfshinte diasporën në institucione dhe për këtë tash po kritikohet që nuk po i heq barrierat administrative që po e pengojnë këtë gjithëpërfshirje.

Visar Korenica i adresoi këto kritika në debat.

“Vyen kohë për ndryshimin e këtyre ligjeve. Nuk është që gjithçka mund të rregullohet shumë shpejt, megjithatë është tendencë e Vetëvendosjes të ndryshohet kjo dhe të rregullohet” – ka thënë Korenica.

Ujkan Bajra, profesor, ka thënë se mobilizimi i kapitalit të diasporës është esencial për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai ka shtuar se që nga paslufta, pjesëmarrja e remitencave në GDP ka qenë 16.5%.

“Kjo përqindje i vjen Kosovës si ndihmë nga diaspora. Nuk është e mjaftueshme, por më e larta në rajon” – ka thënë Ujkan Bajra.

Ai më tej ka thënë se Kosovës i mungon një strategji zhvillimore ku do të supozohej që çështjet që lidhen më përdorimin e diasporës për zhvillimin e ekonomisë do të kishin vend meritor.

“Në fushata elektorale është përmendur edhe kjo çështje por që nuk është bërë ende asgjë në praktikë’. Ata kanë nevojë t’i orientojë dikush, t’iu ofrojë sepse nuk është lehtë me bartë kapitalin e tyre në Kosovë” – ka thënë më tej ai.

A mund të blihen deputetët e Kuvendit të Kosovës?

Si pjesë e hulumtimit për ndikimin e partive politike në Bankën Qendrore të Kosovës, Kallxo.com ka dërguar pyetje në BQK më 21 mars lidhur me punësimet e të afërmve të politikanëve të tri partive: Partisë Guxo, LDK-së dhe PDK-së.

Kallxo.com dhe mediat e tjera kanë raportuar për punësime nepotike e partiake në të kaluarën në BQK por këto po vazhdojnë të ndodhin muajve të fundit edhe në kohën kur bordi i BQK-së është ndërruar dhe shumicën e përbëjnë anëtarët e rinj të zgjedhur nga Vetëvendosja.

Kallxo.com e kishte ftuar Bashkim Nurbojën, kryetarin e bordit të BQK-së, të adresojë çështjen e punësimeve nepotike dhe politike në këtë emision. Nurboja kishte thënë se do vinte në emision pasi që zgjidhet guvernatori i ri.

Në pyetjet e dërguara ishte përgjigjur Bujar Meka, sekretar i BQK-së.

“Sa i përket çështjeve të punësimit, ju informojmë se sipas nenit 37, paragrafi 4, dhe nenit 52 të Ligjit nr.03/L-209 për BQK, punësimi i anëtarëve të personelit të BQK-së është në kompetencën e Guvernatorit” – tha Meka më 21 mars.

Pra BQK ia hedh fajin e këtyre punësimeve të fundit prapë Fehmi Mehmetit, guvernatorit të tanishëm, të cilit i mbaron mandati më 29 mars (pasnesër).

“Pas pranimit të informacioneve në lidhje me punësimet e fundit të ndodhura, është thirrur mbledhja e bordit për t’u informuar rreth kësaj çështje, mirëpo e njëjta nuk ka mundur të mbahet për shkak se guvernatori nuk ka qene prezent në atë mbledhje. Megjithatë, anëtarët joekzekutivë të bordit, kanë kërkuar nga Komiteti i Auditimit, që në bashkëpunim me Auditimin e Brendshëm të marrin veprimet e nevojshme për të vlerësuar meritokracinë në lidhje me punësimet në fjalë. Aktualisht, çështja në fjalë është në proces të vlerësimit nga organet si më lartë” – shtoi Meka për Kallxo.com.

Në debat u shtruan dyshimet janë që punësimet e muajve të fundit po bëhen për të “blerë” postin e guvernatorit, i cili mund të ndikohet duke i punësuar deputetëve të Kosovës dhe anëtarëve të partive familjarët e tyre në BQK në këmbim të votës për guvernator. Kjo ishte praktikë e shumë punësimeve të raportuara lidhur me BQK-në ndër vite.

Kur u pyetën lidhur me këtë ndikim deputetët që morën pjesë në këtë debat deklaruan se nuk do të pranonin të ‘bliheshin’.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, njëherësh edhe anëtar i Komisionit për buxhet dhe transfere, Visar Korenica në emisionin ‘Kallxo Përnime’, ka thënë se në asnjë rast nuk do të jetë i ndikuar.

“Po garantoj vetëm për vete (që s’do të mund të blihem) sepse sot nuk mund të garantosh as për vëllanë e lëre më për dikë që s’e ke të gjakut. (Garantoj) për detyrën time si deputet, për ushtrimin e funksionit që e kam në këtë komision dhe vendimmarrja që më takon mua si deputet, nuk ka ndodhë as s’ka me ndodhë me qenë i ndikuar për ndonjë pozitë apo favor të caktuar” – ka shtuar ai.

Në punën e tij dyvjeçare si deputet Korenica ka pasur debate përmbajtjesore që kërkonin llogari nga bordi dhe guvernatori i kaluar për shumë shkelje dhe mu për këtë u pyet se a do të bëjë të njëjtën me bordin që e ka zgjedhur Vetëvendosja, të cilës ai i takon.

Korenica tha se do të jetë i vendosur që nga anëtarët e bordit të BQK-së të kërkojë llogari edhe më shumë se që ka bërë edhe në të kaluarën për shkak se ndërrimet nuk janë bërë për të vazhduar praktika të njëjta si më parë.

Ferat Shala, deputet i PDK-së, ka thënë se ky subjekt politik nuk e ka parë asnjëherë BQK-në si vend për punësim të kushërinjve as më herët, as sot.

“Asnjëherë guvernatori aktual nuk ka qenë pjesë i PDK-së. Mazhoranca në krye të bordit ka njeriun puro politik, kandidat për deputet të LVV, e tash ai po do me na e sjellë reformën” – ka thënë Shala.

Lidhur me këtë Shala u sfidua se edhe PDK e kishte sjellë njeriun politik si guvernator, Bedri Hamzën, i cili i kishte qenë ministër i PDK-së, sot kryetar i Komunës së Mitrovicës (nga radhët e PDK-së), andaj fakti që LVV e bënte të njëjtën me Bashkim Nurbojën ishte në fakt praktikë e ushtruar nga PDK-ja.

Kur u sfidua lidhur me këtë paralele Ferat Shala tha: “Me të thënë të drejtën ishalla vjen një si Bedri Hamza, isha kanë tepër i lumtur… Po, por Bedriu ka qenë njeriu më i zoti për atë post. Bedriu ka qenë ekspert, ai është me dinjitet profesional dhe politik, i ka pasë të dyja” – tha Shala

Dude Balje, deputete nga radhët e komunitetit boshnjak, në Komisionin për buxhet dhe transfere ka thënë se për çështjen e BQK-së nuk ka se si të ndikohet.

“Në fakt asnjë minoritet kurrë nuk është punësuar në BQK andaj nuk mund të më thuash mua që kemi pasë ndonjë punësim e mund të kushtëzohet vota jonë” – tha ajo.

E vërtetë është që në Kallxo.com nuk është raportuar për ndonjë punësim nepotik apo politik i joshqiptarëve në  BQK.

Ekziston rreziku që procesi i zgjedhjes së guvernatorit të anulohet po qe se nuk ka konsensus politik.

Lidhur me këtë Balje tha: “Ne mundemi të kthejmë procesin nga pika zero, që është dëm i madh ose me vazhdu me këtë listë. Unë s’jam për me e kthy në pikën zero sepse çfarë kriza jemi mendoj se është dëm i madh”.

Kreditë në Kosovë kanë shënuar rritje në raport me vitin e kaluar

Profesori Ujkan Bajra në emisionin ‘KallxoPërnime’, ka thënë se në bëzë të një informatori që e përdor BQK-ja, çdo muaj, për ekonomitë familjare kreditë janë rritur në 16.6%, për korporatat financiare 14.6% dhe 26.3 % për korporatat tjera jo financiare.

“Nëse i marrim të hyrat që i realizojnë bankat, janë të larta në raport me shpenzimet që ju shkaktohen (atyre). Të hyrat nga interesi janë 23-24 milionë ndërsa shpenzimet e interesit që paguhen janë 3.2% në depozita. Nëse shohim normën e kthimit prej aseteve është 2.6% që është ekstrem e ulët që tregon që bankat s’kanë fare asete që i shtijnë në përdorim për me gjeneru të hyrat ndërsa kthimi mesatar nga kapitali është 20.8%, dmth nëse dikush i ka 5 euro kapital i fut në operacione i kthehen deri në 20% të fitimit”, ka thënë Bajra

Bajra shtoi se BQK-së i mungon transparenca, duke e krahasuar me ato të shteteve të rajonit.

Ndërsa deputetja, Dude Balje ka thënë se BQK-ja na duhet t’i mbrojë qytetarët e vendit, pasi që sipas saj shumë qytetarë marrin kredi dhe nuk e dinë normën e interesit. Edukimi bankar është njëri prej detyrave të BQK-së e cila është neglizhuar krejtësisht.

Mungesa e mbikqyrjes bankare

Bankat komerciale vendosin tarifa për konsumatorë për të cilat shpesh janë kritikuar që janë të larta dhe të pambikqyrura.

“Ky është një dëm shumë i madh që është shkaktu në xhepin e konsumatorëve sepse qytetarët për vite të tëra, kanë paguar tarifa të mëdha dhe vazhdojnë të paguajnë. Këtu baza qëndrore duhet të ketë rol aktiv në mënyrë që bankat komerciale në vend të mbikqyren”, ka thënë më tej Korenica

Ndërsa Duda Balje deputete ka thënë se duhet fillimisht të vlerësohen ata që janë brenda BQK-së, nëse nuk janë duke e kryer punën mirë, sipas duhet ata ndryshohen.

Ujkan Bajra, profesor ka thënë se BQK duhet të shërbejë si mekanizëm rregullator dhe do të duhej të kishte një monitorim më të afërt ndaj bankave.

“Banka Qendrore në këtë rast ushtron një funksion të limituar ose nuk zbaton një politikë jo të plotë monetare. Në këtë rast nëse e lidhim se cila do të ishte perspektiva e saj në të ardhmen unë do të doja ta shihja një ndryshim të madh”, ka thënë profesori Bajra

Ai ka shtuar se përgjatë viteve është parë që Banka Qendrore e Kosovës është shoqëruar edhe me ndërhyrje të shumta politike.

“Nuk është që banka qëndron keq në kuptimin e rregullativës ligjore por me aq sa e kam vërejtur punën e bankës ajo ka një eficiencë jo të mjaftueshme në kuptimin e mbikëqyrjes së sistemit financiar në përgjithësi në Kosovë”, ka shtuar Bajra.

Financieri Emanuel Bajra ka thënë se në Kosovë ka gjithçka pos freebanking.

“Pra prej krejt vendeve të botës gjithandej ka freebanking. Kjo është e drejt njerëzore edhe komerciale që të ketë freebanking. Kjo duhet të fillojë (edhe në Kosovë), bankim pa kurrfarë obligimi monetar. Duhet të filloj me zero freebanking mandej flasim për mirëmbajtje, kjo është skandaloze në Kosovë kjo nuk ekziston atje”, ka thënë Financieri Bajra

Ai ka shtuar se në Kosovë, tarifat janë gati gati kriminale.

“Kjo ndodh për shkak se Banka Qendrore ka qenë e dobët historikisht, nuk po flasim për kohen e ish Jugosllavisë por për kohën pas luftës, e dimë se si u formu ky institucion por që më vonë u politizu”, ka shtuar më tej Bajra

Ferat Shala poashtu foli për reformim të BQK-së.

“…domosdoshmërisht na duhet një rishikim të politikave financiare e ekonomike dhe këtë nuk mund ta bëjmë pa një reformim të BQK-së”, ka thënë Shala.