Bajra: Kosovës i duhet një guvernatore grua

Emanuel Bajra, i cili për 16 vite ka qenë i angazhuar në sistemin bankar të Britanisë së Madhe, ka konkurruar për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës por është diskualifikuar.

Bajra në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se në krye të BQK-së do të ishte shumë më mirë sikur të vinte një grua.

“Nëse e shikojmë te statistikat e Bankës Qendrore ose çfarëdo lloj organizmi financiar, jofinanciar dhe komercial kurrë nuk është e kategorizuar pjesëmarrja e grave në financa. Në Britani të Madhe stimulohet pjesëmarrja e grave në spektrin industrial të ekonomisë” – ka thënë Bajra.

Ai ka shtuar se imputin që e merr Kosova nga gratë është shumë më i thekshëm sesa nga ajo që e merr nga burrat.

“Gjithmonë kam qenë një lobues për të pasur një guvernatore grua. Unë besoj në këtë dhe e shoh potencialin” – ka thënë Bajra.

Në fund të janarit janë publikuar rezultatet e kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.

Monitoruesit nga Britania e Madhe kanë publikuar rezultatet pas përfundimit të të gjitha fazave të këtij procesi të rekrutimit.

Kandidatja më e poentuar është Shkëndije Himaj me 32 pikë nga 40 pikë që ishte maksimumi.