Kryeministri Albin Kurti - Foto: ZKM

Prokuroria Speciale dërgon ftesën e dytë për Kurtin, Qeveria ia propozon tri orare të takimit

Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit, Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit.

Ndërkaq, Kabineti i Kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese, duke ritheksuar gatishmërinë e Kryeministrit që t’i mirëpresë Prokurorët në Zyrën e tij për intervistim.

“Prokuroria Speciale ka përcjellur një ftesë të dytë, në adresë të Kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Për këtë, kemi propozuar tri orare të takimit. Një për sot dhe dy orare tjera për javën tjetër.” – ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeziu tha se presin një përgjigje pozitive “meqë, sipas praktikës, kjo nuk do të ishte hera e parë që një Kryeministër intervistohet brenda Zyrës së tij dhe i mirëpresim në Kryeministri.”

Ndonëse, ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri, Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar, të hënën, më 16.12.2024, në ora 09:30, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur nën arsyetimin se ‘Kryeministri është në vizitë jashtë vendit’.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, në një deklarim para medieve kishte thënë që Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër, për Kryeministrin Kurti, për një datë tjetër.

Ndërkohë, më 15.12.2024, Kryeministri Kurti, rreth orës 23:45, kishte publikuar fotografi në rrjetin social Facebook, se ishte në një program të Filharmonisë së Sllovenisë, në Lubjanë.

Kurti kishte shprehur gatishmërinë për t’i pritur Prokurorët e rastit në Zyrën e Kryeministrit.

Kryeministri Kurti është thirrur si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar Kryeministrit – të publikuar nga Kryeziu – përputhet me atë të rastit tR.

Të pandehur në rastin e rezervave shtetërore janë Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Lipovica dhe Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar, më 18.08.2023, nën dyshimin për veprat “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë më dy prokurorët e rastit, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, por ata nuk kanë qenë të qassshëm.

Kryeministri Albin Kurti thirret nga Prokuroria Speciale si dëshmitar