Prokuroria në Pejë jep detaje lidhur me dhunimin e një shtetase të Shqipërisë

Një shtetase e Shqipërisë, e cila ishte raportuar si person i zhdukur në Policinë e Shtetit në vendin fqinj, dyshohet se është dhunuar në Kosovë.

Gruaja në fjalë ishte gjetur nga njësitet policore të Pejës, e ajo dyshohet se në mes datave 8 dhe 9 dhjetor 2023 është dhunuar.

Viktima pasi u gjet nga ana e Policisë në Pejë u dërgua në emergjencë për kontrolle mjekësore, nën dyshimin se ndaj saj është kryer vepra penale “Dhunim”.

Në raportin 24-orësh të PK-së është thënë se ajo me urdhër të prokurorit është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka thënë se pas veprimeve hetimore dhe ekzaminimit mjekësor të viktimës dyshohet se ajo është dhunuar.

Tutje Nikçi ka thënë se për këtë çështje janë autorizuar nga prokurori i shtetit, Policia e Kosovës për të ndërmarr veprime hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit apo personave të dyshuar që kanë kryer këtë vepër penale.