
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Anu Prattipati, Foto: Presidenca e Kosovës/Facebook
Procesi zgjedhor e siguria - ndër temat e diskutimit mes presidentes Osmani dhe diplomatëve të vendeve perëndimore të akredituar në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë kësaj jave ka zhvilluar takime të ndara me disa përfaqësues të vendeve partnere të Kosovës.
Sipas Presidencës së Kosovës, presidentja Osmani ka takuar të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Presidenca njofton se gjatë këtyre takimeve u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë çështjet e sigurisë, fuqizimin e bashkëpunimit bilateral me shtetet respektive, ecurinë e procesit zgjedhor si dhe konstituimin e institucioneve pas certifikimit përfundimtar të rezultateve nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot më 20.02.2025 ka nisur publikimin e rezultateve për kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 09.02.2025.
Të dhënat e KQZ-së kanë treguar se deri në ora 11:26 janë numëruar 2,290 vendvotime nga 2,533 ose 90.41%. Po ashtu, në matje nuk janë përfshirë votat e diasporës, me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara. Kurse, deri në ora 16:34 rezultatet e KQZ tregojnë se janë numëruar 2345 vendvotime apo 92.58%.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 09.02.2025.
Në bazë të rezultateve të fundit preliminare të përditësuara në orën 09:46, më datë 20.02.2025 në ueb-faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është e para me 40.80 për qind apo 342, 281 vota.
Partia e dytë me më së shumti ota është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03 për qind e votave, apo 184, 811 vota.
E treta është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind, apo 147,888 vota.
Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me Nismën, Demokratët, Intelektualët dhe Listën Ideal kanë marr 7.46 për qind të votave, apo 62,588 vota.
Lista Serbe është partia e pestë me 4.61 për qind apo 18,942 vota.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova i ka mbajtur që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.