Fshati Keqekollë, Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Problemet me rrymën dëmtojnë blegtorinë në Prapashticë dhe pajisjet e fabrikës së çajit në Keqekollë (VIDEO)

Ndërprerjet e shpeshta dhe tensioni i ulët i rrymës janë një problem i përditshëm për banorët e fshatrave malore të Prishtinës, Keqekollë dhe Prapashticë.

Sipas banorëve të këtyre fshatrave, furnizimi i rrymës nuk është i kënaqshëm për t’i zhvilluar veprimtaritë e tyre.

Luan Fazliu i cili drejton një biznes familjar, një fabrikë të përpunimit të çajit – Era sh.p.k., është ankuar në KALLXO.com se nuk po mundet ta vë në funksion këtë fabrikë për shkak të problemeve me rrymën.

Përveç tij, në Prapashticë fermeri Enes Ibrahimi ka shprehur pakënaqësi ndaj këtyre problemeve pasi po u shkakton dëme në sigurimin e qumështit nga blegtoria që zhvillojnë.

Fazliu tash e një kohë e ka ndërprerë punën në fabrikën e çajit, pasi ka pësuar dëmtime të pajisjeve nga rryma.

Si pasojë e kësaj, tash e një kohë kanë humbur punën 15 deri 20 punëtorë në këtë fabrikë.

Paisjet e fabrikës të dëmtuara të Fazliut janë: motori kryesor i tharëses së madhe i është djegur, një tharëseje tjetër i është djegur rregullatori i frekuencës, paketueses së çajit i është djegur gjithashtu rregullatori i frekuencës.

Kurse, në amvisëri Fazliu thotë se ka humbur shumicën e paisjeve, duke përmendur këtu disa monitorë kompjuteri dhe dy hidrofor.

Nga të gjitha këto, Fazliu e ka theksuar humbjen e vlerës së punës ditore prej 5,000 euro.

Mirëpo, ai e ka pohuar që KEDS i ka vizituar, por nuk u ka gjetur zgjidhje.

“Ata (KEDS) disa herë, nashta 5-6 herë janë kanë edhe na kanë vizitu që janë ardhë ekskluzivisht për me vizitu për problemet që i kemi pas kryesisht për tension, edhe çdo herë është e njëjta përgjegje – se është problem shumë i madh për shkak se kablli është i hollë, është i dobët’’ – ka treguar Fazliu për KALLXO.com.

Ai ka prezantuar disa ankesa të cilat i ka drejtuar në KEDS, mirëpo që nuk kanë pasur efekt sipas tij.

‘’Procedurat e ankimimit te KEDS-i nuk ekzistojnë, janë asisoji të ngritne që munesh vetëm me dal prej asaj zyres gjysëm i çmendun, aty jo vetëm unë po bash çdo kush që donë për me ba një ankesë, me të vërtetë se rezultatet janë çdo herë të njëjta, për shkak se ankimimi te ta nuk funksionon’’ – ka vlerësuar Fazliu përvojën e tij të ankesave ndaj KEDS.

Duke qenë se nuk kanë pranuar zgjidhje, më 25 gusht Fazliu ka dorëzuar në KEDS një ankesë kolektive të fshatit, të cilën e ka nënshkruar secili banorë që ka probleme me rrymën.

Ankesa kolektive e banorëve në Keqekollë ndaj KEDS, Foto: Luan Fazliu

Sipas tij, këtë ankesë nuk ia kishte pranuar KEDS, nën arsyetimin se duheshte të ishte i noterizuar çdo nënshkrim i banorëve.

“Kur e merr atë përgjigje që thashë, gjysëm i çmendun, more i çmendun del prej atyhit, për shkak se nuk të ofron zgjidhje’’ – ka folur ai për kërkesën e KEDS ndaj ankesës kolektive.

Për shkak të dëmve në fabrikën e tij dhe për ta shqyrtuar ankesën e tij kolektive, Fazliu i është drejtuar edhe Minstrisë së Ekonomisë.

Fazliu pretendon se ME i ka kërkuar KEDS-it ta shqyrtojë ankesën e tij kolektive, mirëpo që nuk ka pranuar ndonjë përgjigje nga KEDS.

Për të treguar se është interesuar për këtë çështje ME nuk i është përgjigjur KALLXO.com-it.

Ankesa kanë bërë edhe banorët e fshatit Prapashticë të cilat duke qenë se nuk u janë marrë parasysh do të përcjellen me protesta, sipas njërit nga fermerët Enes Ibrahimi.

”Problemet me energjinë elektrike të mjaftueshme të mëdhaja, mujna me thanë afër çdo ditë kemi telashe me ndërprerjen d.m.th, veçanërisht në sektorin e bujqësisë – blegtori, me qumështin kemi shumë probleme se e shesim qumështin nëpër qumështore edhe problemi që po prishet qumështi për shkak se energjia elektrike nuk po kemi, po ndalet” – është shprehur Ibrahimi për KALLXO.com.

Nga Zyra për Rregullatorin e Energjisë, ku Fazliu ka thënë se është ankuar po ashtu, e kanë mohuar të kenë pranuar ndonjë ankesë nga ai.

“Në bazën e të dhënave për ankesat e konsumatorëve për vitin 2023 nuk figuron se kemi pranuar ankesë nga z. Luan Fazliu. Në bazë të informacionit të pranuar, ZRRE-ja do të kërkojë nga KESCO informacion të detajuar në lidhje me ankesat e këtyre konsumatorëve” – kanë shkruar në përgjigjen e tyre nga ZRrE.

KALLXO.com i ka kërkuar ZRrE-së që t’i ndajë detajet e mundshme pas interesimit të tyre në KESCO lidhur me këtë rast, mirëpo nuk është se i ka pranuar këto detaje.

Në anën tjetër, nga Komuna e Prishtinës nuk janë përgjigjur se janë në dijeni për këto probleme të rrymës në këto dy fshatra dhe kanë kërkuar që të pyetet KEDS.

KALLXO.com e ka pyetur KEDS për gjendjen e furnizimit të rrymës në këto dy fshatra, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur për zhvillimin apo jo të punimeve në këto zona.

“Zakonisht problemet me tension paraqiten në zonat kur konsumatorët përdorin energjinë elektrike përtej kapacitetit të lejuar, gjë që jo vetëm se po u shkakton atyre problem, por edhe po e dëmton dhe rrezikon rrjetin tonë”, thuhet në përgjigjen e KEDS.