Policia e Kosovës

Prizren, dyshohet se një 55-vjeçar ia vuri flakën vetes brenda veturës

Një person dyshohet se është vetëvrarë në Prizren.

Policia e Kosovës njofton se fillimisht kanë marrë raportimin se në rrugën “Kastriotët” në afërsi të rrugës “Transiti i ri “, është duke u djegur një veturë.

Patrullat policore kanë shkuar në vendngjarje dhe nga informatat e para nga aty kanë kuptuar se një person gjendej në veturë, e cila ishte e djegur plotësisht bashkë me viktimën.

“Vetura e djegur është një golf 2, ndërsa viktima dyshohet të jetë Sh. K., i lindur në vitin 1968 nga fshati Jeshkovë, Prizren. Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësit përgjegjëse për rastin si dhe prokurori kujdestar”- thuhet në njoftim.

Nga hetimet e para, Policia njofton se dyshohet se viktima ka bërë vetëvrasje.

Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë “ dhe mbetjet nga trupi i pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim.